Dhuna në veri

Sulmi ndaj NATO-s, kidnapimi i policëve e protesta të dhunshme, krejt çka ndodhi në veri gjatë këtij viti

Veriu i Kosovës gjatë viti 2023-ta u përcoll me protesta të dhunshme. E gjitha nisi pasi serbët lokal nuk i pranuan kryetarët shqiptarë në 4 katër komunat veriore, të cilët u zgjodhën ne zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale.

Më 26 maj të viti 2023, serbët e Kosovës filluan protestat kundër zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë që fituan zgjedhjet lokale të 23 prillit në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, komuna këto të banuara me shumicë serbe. Këto zgjedhje erdhën pas Lista Serbe në tetor të viti 2022 dha dorëheqje nga të gjitha institucionet në Kosovë, shkruan Ballkani.info.

Popullata atje, e ndikuar nga Beogradi zyrtar dhe strukturat që funksionojnë nën udhëheqjen e tij, nuk u bindet vendimeve të institucioneve të Kosovës. Kësisoj shpërthyen protesta të dhunshme që rezultuan edhe me sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve shqiptarë.

Me 29 maj, serbët u mblodhën para objektit të komunës së Zveçanit, për të evituar hyrjen me dhunë në këtë objekt, në orët e mëngjesit ishin vendosur njësitet e ushtarëve të KFOR-it. Përgjatë perimetrit të objektit të Komunës në Zveçan ishte vendosur edhe rrethoja me tela.

Para kësaj komune tashmë ishte mbledhur një grumbull i qytetarëve, përfshirë edhe kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe nënkryetarin Igor Simiq.

Për të shmangur incidentet që në mëngjes përfaqësues të KFOR-it e të Policisë kanë biseduar me zyrtarët e Listës Serbe. Meqë negociatat nuk kanë dhënë rezultat, rreth orës 16:30, pjesëtarët e KFOR-it kanë kërkuar nga protestuesit të largohen nga dy autoblindat e Policisë së Kosovës, të cilat ishin bllokuar në mes të turmës, por ata kanë refuzuar. Për t’i shpërndarë KFOR-i ka hedhur gaz lotsjellës dhe pas kësaj protestuesit janë kundërpërgjigjur me hedhjen e shok-bombave dhe shishe të molotovit në drejtim të pjesëtarëve të KFOR-it.

Për pasojë është djegur një veturë e Policisë së Kosovës e janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri.

Nga kjo protestë e dhunshme u sulmuan 90 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë.

Pas kësaj, Serbia kidnapoi tre pjesëtar të Policisë së Kosovës,, në rajonin kufitar të dy vendeve me arsyetimin se ata “po planifikonin një aksion në Serbi” më 14 qershor.

Policia e cilësoi këtë si “kidnapim klasik të organizuar” brenda territorit të Kosovës, kurse në Beograd u tha se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.

Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës së 14 qershorit, kur ata dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Pas presionit ndërkombëtar, Serbia liroi policët e Kosovës më 26 qershor.

Pas ngjarjeve që ndodhën në Kosovë, batalioni komando turk, i përbërë nga afërsisht 500 ushtarë, u caktua me kërkesë të Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s dhe u ngarkua me sigurimin e komunave në veri të Kosovës.

Sulmi ndaj NATO-s:

Më shumë se 90 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë u plagosën në fund të majit, kur protestat e popullatës lokale serbe kundër kryetarëve shqiptarë të komunave u shndërruan në përleshje të dhunshme.

Në Kosovë, deri më tani, janë arrestuar dhjetë persona për “pjesëmarrje në protesta të dhunshme” dhe sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Komandanti i KFOR-it, Angelo Ristuccia, tha më 19 shtator se nuk ka informacione të reja rreth hetimeve, por se e di se autoritetet e Kosovës janë duke punuar në to.

Ai tha se shpreson që edhe autoritetet në Beograd t’i hetojnë ata persona që “u kthyen në Serbi” pas trazirave.

Ristuccia tha se edhe KFOR-i pret që të gjithë autorët e dhunës “të ndiqen penalisht menjëherë”.

Kush janë personat që i sulmuan ushtarët e NATO-s?

Si pjesëmarrës kryesorë në sulmet kundër KFOR-it, autoritetet e Kosovës i emëruan pjesëtarët e organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” – që të dyja të shpallura terroriste nga Prishtina zyrtare.

Si lider i “demonstruesve të dhunshëm” dhe organizator i sulmeve ndaj KFOR-it u identifikua Millun Millenkoviq – Llune, i cili u arrestua më 13 qershor dhe është ende në paraburgim.

Ai akuzohet për tri vepra: terrorizëm, ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues të Kosovës dhe rrezikim të personelit me mbrojtje ndërkombëtare.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Millenkoviq “është një nga liderët e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe lider i grupeve kriminale që me vite i terrorizojnë qytetarët, i sulmojnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.

Në Mitrovicën e Veriut u mbajtën protesta pas arrestimit të Millenkoviqit.

Lista Serbe kërkoi amnisti për të gjithë serbët e arrestuar që kanë marrë pjesë në protesta kundër vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Trazirat dhe dhuna në veri penguan dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve, i cili zhvillohet që nga viti 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. /Ballkani.info/