KFOR-i

Stoltenberg: Qëllimi i NATO-s nuk është prezenca e përhershme në Kosovë, por të largohet kur është e mundur

“Qëllimi i NATO-s nuk është të jetë i përhershëm prezent në Kosovë, por të gjendet një zgjidhje për problemin, në mënyrë që të tërhiqemi nga kjo zonë”, tha në një intervistë për FoNet Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg dhe shtoi se lidershipi e Serbisë duhet të shpjegojë se çfarë ka ndodhur në Zveçan, në maj dhe në fund të shtatorit në Banjskë.

Siç ka saktësuar ai, “nuk duam të kemi 5000 ushtarë në Kosovë, por të largohemi kur të jetë e mundur”, transmeton Ballkani.info.

“Tani është shumë e rrezikshme për ne të largohemi”, tha Stoltenberg, duke theksuar se NATO kohët e fundit, për herë të parë pas shumë vitesh, rriti numrin e ushtarëve në KFOR, “për shkak të rritjes së dhunës dhe tensionit”.

Sipas vlerësimit të tij, “të gjithë janë të vetëdijshëm se largimi i KFOR-it do të nënkuptonte rrezikun e rritjes së dhunës dhe jostabilitetit”.

Ai beson se KFOR-i është i paanshëm kur zbaton një “mandat shumë të qartë të Kombeve të Bashkuara”.

Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Beogradin, Stoltenberg është i kënaqur që Serbia e mirëpret praninë e NATO-s në Kosovë, “edhe pse jo gjithmonë pajtohemi, gjë që është pothuajse e pamundur”.

“Udhëheqja serbe duhet të shpjegojë se çfarë ndodhi në Zveçan në maj, kur u plagosën një numër i madh i pjesëtarëve të KFOR-it dhe në fund të shtatorit në Banjska, ku katër persona u vranë në një konflikt të armatosur”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

“Këto janë dy ngjarje shumë të rënda. Njerëz vdiqën, shumë njerëz u plagosën”, theksoi Stoltenberg, duke thënë se më 29 maj në Zveçan u plagosën 93 ushtarë të NATO-s, disa prej tyre rëndë.

Është e rëndësishme që autorët të mbajnë përgjegjësi, theksoi ai, dhe përshëndeti mesazhin se Serbia do të sigurojë që të kryhen hetime dhe procedura ligjore, në mënyrë që fajtorët të mbajnë përgjegjësi.

“Detyra e NATO-s nuk është të kryejë një hetim, atë duhet ta bëjë policia dhe gjykatat, por është e rëndësishme që të ndodhë”, tha Stoltenberg.

Ai ka theksuar se KFOR-i nuk e ka për detyrë të zbatojë ligjin dhe ka shpjeguar se niveli i parë është Policia e Kosovës, e pasuar nga EULEX-i dhe vetëm pastaj KFOR-i, për të ndihmuar në parandalimin apo ndalimin e tensioneve dhe konflikteve.

“Këtë e bëjmë për gati 25 vjet. Kjo është arsyeja pse ne muajt e fundit kemi rritur ndjeshëm numrin e ushtarëve. Prania në veri të Kosovës është rritur katër herë. Ne dërguam edhe armë më të rënda”, tha Stoltenberg.

Ai tha se NATO respekton neutralitetin ushtarak të Serbisë dhe përkujtoi se parimi bazë i Aleancës është e drejta e çdo vendi, i madh apo i vogël, Serbisë apo Norvegjisë, të vendosë për rrugën e vet.

“Serbia ka vendosur që synimi i saj është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por jo në NATO. Ne e mbështesim dhe respektojmë një vendim të tillë 100 për qind”, tha Stoltenberg, duke pohuar se NATO nuk ka detyruar kurrë një vend të bëhet pjesë e Aleancës.

“Me vite kemi bashkëpunuar me Finlandën dhe Suedinë, si vende neutrale”, kujtoi ai dhe theksoi se NATO nuk i ka bindur këto dy vende që të jenë anëtarë të Aleancës.

“Kjo është ajo që bëri presidenti rus Vladimir Putin kur sulmoi Ukrainën. Ne respektojmë neutralitetin e Serbisë dhe kurrë nuk do të bëjmë presion mbi asnjë vend për t’u anëtarësuar në NATO”, tha Stoltenberg.

Ai beson se Rusia në Ballkanin Perëndimor po bën përpjekje për të përhapur pretendime të rreme, “në fushata dezinformuese”.

“Ne pamë një përpjekje shumë serioze për të rrëzuar qeverinë në Mal të Zi dhe për të ndërhyrë në zgjedhje. Nuk funksionoi, por është shembull i ndërhyrjes në punët e brendshme dhe në proceset demokratike në rajon”, tha Stoltenberg.

Lidhur me mundësinë e përhapjes së luftës në Gaza në zona të tjera, ai paralajmëroi se nuk ka asnjë pjesë të Evropës që të jetë e sigurt nga sulmet terroriste.

“Ne jemi duke bashkëpunuar me Serbinë për zhvillimin e teknologjisë që do të ndihmonte në mbrojtjen nga sulmet terroriste. Terrorizmi është një kërcënim i vazhdueshëm dhe ne duhet të vazhdojmë të bashkëpunojmë”, tha Stoltenberg. /Ballkani.info/