SHBA

Reagojnë zyrtarët e lartë të SHBA-së pas lajmit se Hamasi e ka “pranuar marrëveshjen”

Menjëherë pas lajmit se Hamasi ka “pranuar marrëveshjen”, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, ka dalë me një deklaratë.

Kirby ka njoftuar se drejtori i CIA-s, William Burns, ndodhet në Lindjen e Mesme, pa dhënë detaje të mëtejshme.

“Ne duam t’i marrim pengjet, ne duam të vendosim një armëpushim për gjashtë javë dhe duam të rrisim ndihmën humanitare”, tha Kirby.

Ai vazhdon duke thënë se “presidenti amerikan, Joe Biden, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kanë zhvilluar një telefonatë me operacionin në Rafah temë diskutimi”.

Zëdhënësi amerikan tha se Biden ia bëri të qartë Netanyahut se mënyra më e mirë për të shmangur rrezikimin e civilëve është marrëveshja.

Ndryshe, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, shkruan skynews.

Miller njofton se SHBA-ja po e shqyrton përgjigjen e Hamasit dhe po e diskuton me aleatët e tjerë.

“Ne do ta diskutojmë këtë përgjigje me partnerët tanë në orët e ardhshme. Ne vazhdojmë të besojmë se një marrëveshje pengjesh është në interesin më të mirë të popullit izraelit dhe popullit palestinez”, tha Miller.

Gjithashtu, Miller thotë se “një operacion në Rafah do ta bënte tepër të vështirë dërgimin e ndihmave humanitare në Gazë”.