Stadiumi “Fadil Vokrri” pa mirëmbajtje – “Ndërhyrjet në stadium s’janë profesionale”

Arsim Thaqi e ka vlerësuar vendimin e Federatës së Futbollit të Kosovës për ta shtyrë ndeshjen mes Prishtinës dhe Dukagjinit si të paarsyeshëm, duke i kritikuar autoritetet përgjegjëse për mirëmbajtjen e stadiumit.

Federata e Futbollit e Kosovës vendosi që ta shtyjë ndeshjen mes Prishtinës dhe Dukagjinit, që ishte planifikuar të zhvillohet këtë fundjavë në “Fadil Vokrri, me qëllim për ta ruajtur fushën e stadiumit për ndeshjen e radhës së Kosovës.

“Mendoj se ky vendim ndikon në rrjedhën e kampionatit. Unë e kam dëgjuar një deklaratë se ndeshja në stadiumin e Prishtinës nuk mund të zhvillohet për shkak të ngarkesës që ka. Unë nuk mendoj se një ndeshje në javë është mbingarkesë, por mendoj se ky stadium nuk ka mirëmbajtje”, tha Thaqi në “Favorit”.

“Stadiumi i Prishtinës është bërë stadium jashtëzakonisht i mirë, stadium modern, cilësia e barit ka qenë e nivelit të lartë. Unë nuk jam kompetent për të folur se pse s’ka mirëmbajtje, por duhet një koordinim më i mirë i Federatës së Futbollit, Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Sportit”.

“Ka ekspert të fushave edhe në Kosovë, të cilët e dinë se çfarë i duhet kësaj fushe dhe si duhet të mirëmbahet ajo. Federata i ka të gjitha mjetet, të gjitha kushtet ekzistojnë. Por, është faktori njeri që s’po funksionon në stadiumin e Prishtinës”.

“Një ndeshje në javë në një fushë që është bërë para dy vjetëve në Kosovë… të thuash se ka ngarkesë fusha, nuk është në gjendje të mirë… kjo nuk është deklaratë bash e logjikshme. Duhet të ketë njerëz që duhet të japin përgjegjësi. Duhet të ketë alternativë”. Kosova do ta luajë ndeshjen e radhës më 7 shtator, kundër Republikës Çeke, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.