Avokati i familjes së Liridona Ademajt, Leutrim Syla ka bërë të ditur se me vendimin e Gjykatës së Apelit, i cili vërtetoi dënimin me burgim të përjetshëm për Naim Murselin, është hapur rruga për betejën e radhës që familja e Liridona Ademajt, të marrë kujdestarinë e fëmijëve të saj.

Syla në emisionin “tre8tre” në KTV, ka thënë se kjo kërkesë nga ana e familjes Ademaj është bërë edhe më herët, por që është kushtëzuar me vendimin e Apelit.

“Vendimi i Apelit është edhe fundi i një fillimi për shkak se me këtë vendim nis edhe beteja për besimin e fëmijëve në familjen e Liridona Ademajt. Një kërkesë e tillë është bërë edhe më herët, por që ka qenë e kushtëzuar me vendimin e Gjykatës në Kosovë. Naim Murseli deri në vendimin e Gjykatës së Apelit pezumohej i pafajshëm, por tanimë veçse me vendimin e Gjykatës së Apelit duke e ditur që vendimi i shkallës së parë është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm, Naim Murseli mund të konsiderohet sipas ligjit fajtor për vrasjen e Liridona Ademajt, i dënuar me burgim të përjetshëm”, ka thënë Syla.

Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimet me burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Në vendimin e publikuar të hënën, është vërtetuar edhe dënimi me 30 vjet burgim për Kushtrim Kokallën, po ashtu i pandehur në këtë rast.

Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor 2023 në Bërnicë të Prishtinës, teksa ishte në veturë me bashkëshortin, tani të dënuarin Naim Murseli dhe dy fëmijët

Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, Murseli e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij, për shkak të marrëdhënieve të përkeqësuara martesore dhe dëshirës për hakmarrje.

Gjykata ka konstatuar se ai synonte edhe të përfitonte financiarisht nga një policë e sigurimit të jetës në emër të viktimës, në vlerë prej tre milionë kronash suedeze.