Bora që ka nisur të bie gjatë natës po mbulon edhe zonat e ulëta, ndërsa temperaturat e ulëta kanë krijuar kushte të rrezikshme për drejtuesit e automjeteve.

Sipas mediumit slloven 24ur, për shkak të rrëshqitjes së automjeteve të rënda është mbyllur autostrada bregdetare A1, në segmentin ndërmjet Uncit dhe Ravbarkomandës, në drejtim të Koperit.

Situata është rënduar edhe në autostradën Dolenjska, ku është raportuar rrëshqitje e një kamioni ndërmjet Višnja Gorës dhe Grosupljes, në drejtim të Lubjanës, transmeton Telegrafi.

Probleme janë regjistruar edhe në akse të tjera rrugore, ndërsa autoritetet kanë nisur ndalimin e kamionëve me peshë mbi 7.5 tonë në disa segmente, përfshirë autostradën bregdetare, autostradën Dolenjska dhe rrugën e shpejtë Vipava.

Shërbimet dimërore janë angazhuar në terren për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve, ndërsa Qendra Informative e Trafikut u ka bërë thirrje shoferëve që të mos nisen pa pajisjet e detyrueshme dimërore dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike.

Bora po grumbullohet në disa pjesë të rrugëve, duke rritur rrezikun e rrëshqitjeve dhe aksidenteve. Në qafat malore dhe rrugët në lartësi të mëdha, përdorimi i zinxhirëve për borë është i detyrueshëm aty ku këtë e kërkon sinjalizimi rrugor.

Sipas raportimeve të mediave sllovene, reshjet pritet të dobësohen gjatë paradites, por autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, pasi gjendja në rrugë mund të ndryshojë vazhdimisht.