Në një samit në Bruksel, disa liderë kërkuan shkurtime të shpenzimeve, ndërsa të tjerë mbrojtën politikat tradicionale që përbëjnë një pjesë të madhe të buxhetit. Shumica kërkojnë fonde shtesë për përparësitë e reja të rëndësishme, si dhe për të ndihmuar Ukrainën, gati pesë vjet pas nisjes së luftës.

“Evropa ka nevojë për financa të qëndrueshme. Nuk mundemi dhe nuk duhet të marrim më shumë borxhe”, ka thënë kancelari gjerman, Friedrich Merz, në deklarata që nxorën në pah disa nga kundërthëniet e debatit.

“Në të njëjtën kohë, kemi një sërë detyrash që duhet t'i përmbushim në mënyrë të besueshme...Përparësitë duhet të jenë një ekonomi e lulëzuar, tregu i brendshëm duhet të jetë në gjendje të zhvillojë plotësisht potencialin e tij dhe ne kemi nevojë për mbrojtje më të mirë”, u ka thënë ai gazetarëve.

Paketa e re e përbashkët e shpenzimeve është një tregues i ambicieve të BE-së në skenën ndërkombëtare. Ajo është shumë më e vogël se buxhetet kombëtare dhe financohet kryesisht nga 27 vendet anëtare, në bazë të madhësisë së ekonomive të tyre.

Plani për periudhën 2028-2034 mund të arrijë në 1 deri në 1.2 për qind të të ardhurave kombëtare bruto, por gjithnjë e më shumë duket se liderët mund të mos arrijnë objektivin për ta miratuar atë deri në fund të këtij viti.

Gjermania është pjesë e një grupi të rëndësishëm të vendeve të ashtuquajtura kontribuese neto, të cilat paguajnë më shumë në buxhetin e BE-së sesa marrin në formë fondesh. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe Austria, Holanda dhe Suedia, ndër të tjera.

“Buxheti duhet të modernizohet dhe të zvogëlohet nëse duam të arrijmë një marrëveshje”, ka thënë kryeministri holandez, Rob Jetten, me të mbërritur në samit.

“Jam gati për këtë maratonë, qoftë nëse përfundon sot, nesër apo diku në dhjetor”, ka shtuar ai.

Një grup i madh vendesh, i udhëhequr nga Franca dhe Italia dhe i njohur si “Miqtë e Kohezionit”, mbron me vendosmëri fondet që mbështesin fermerët dhe financojnë projektet infrastrukturore në vendet anëtare relativisht më të varfra, me qëllim që ato të arrijnë standardet e BE-së.

Bujqësia dhe politika e kohezionit përbëjnë secila rreth një të tretën e buxhetit.

“Kohezioni ka të bëjë me sigurimin e një standardi të ngjashëm jetese në rajone të ndryshme”, ka thënë kryeministri çek, Andrej Babis, një miliarder.

“Fatkeqësisht, ne nuk kemi asnjë autostradë drejt Austrisë dhe duhet të ndërtojmë spitalet tona”, ka shtuar ai.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili po kryeson samitin që mund të zgjasë deri të premten, u ka bërë thirrje liderëve që t'i qasen debatit me “mendje të hapur, qasje konstruktive dhe frymë kompromisi”.

Ai ka thënë se një marrëveshje duhet të arrihet deri në fund të këtij viti dhe, për këtë, nevojitet unanimiteti.

Costa synon të sigurojë marrëveshje për madhësinë e buxhetit, mënyrën e shpërndarjes së fondeve ndërmjet përparësive të ndryshme dhe mënyrat për të siguruar të ardhura nga burime të tjera.

Javën e kaluar, ai ka propozuar vendosjen e një takse në nivel të BE-së për shërbimet digjitale. Ajo do të zbatohej mbi të ardhurat nga reklamat në internet dhe paratë që kompanitë fitojnë nga të dhënat e përdoruesve, ndërsa mund të arrinte në 5 miliardë euro në vit.

Mosarritja e një marrëveshjeje tani nuk do të ishte problematike. Liderët do të takohen sërish më 18 dhe 19 dhjetor.