Milan Radoiçiq, organizatori i sulmit të armatosur në Banjskë, është në arrati. Disa media në Serbi raportojnë se ka ikur bashkë me partnerin e tij të vjetër në biznes, Zvonko Veselinoviq.
Sipas portalit serb Nova.rs, një burim që i njeh lëvizjet e tyre thotë se Radoiçiq dhe Veselinoviq kanë udhëtuar së bashku në Kirgistan. Burimi nuk identifikohet.
Pse po kërkohet Radoiçiq?
Për Radoiçiqin u lëshua fletarrestim pasi ai nuk u paraqit më 15 nëntor në stacionin policor të Savski Venacit, siç e detyronte masa e gjykatës. Gjykata e Lartë në Beograd urdhëroi paraburgimin e tij më 17 nëntor.
Zëdhënësja e gjykatës, Ivona Çoguriq, konfirmoi se paraburgimi u caktua për shkak të rrethanave që tregojnë se Radoiçiq është fshehur.
Pas sulmit në Banjskë, në tetor të vitit 2023, Radoiçiqit iu ndalua largimi nga vendbanimi dhe nga Serbia pa leje të gjykatës. Iu mor pasaporta dhe duhej të paraqitej në polici më 1 dhe 15 të çdo muaji. Për herë të fundit u paraqit më 1 nëntor.
Moska apo Kirgistani?
Ka edhe një version tjetër. Ish-inspektori i Agjencisë serbe të Sigurisë (BIA), Milan Zvezdanoviq, i tha televizionit N1 se ka informata jozyrtare nga strukturat e sigurisë se Radoiçiq është larguar nga Serbia për në Moskë.
I pyetur nëse u largua ligjërisht apo jo, ai tha se Partia Përparimtare Serbe ende është në pushtet dhe shtoi: „Atij nuk i duhej leje.”
Ku është Veselinoviq?
Radio Evropa e Lirë raportoi se Veselinoviq u largua nga Bosnja e Hercegovina më 11 nëntor, me një fluturim të rregullt nga Sarajeva për në Stamboll. Burime të sigurisë boshnjake thanë se ai përdori pasaportë serbe dhe ishte i shoqëruar nga vëllai i tij, Zharko.
Kush janë ata?
Veselinoviq dhe Radoiçiq kanë qenë partnerë të gjatë biznesi, dhe firmat e tyre janë lidhur me kontrata shtetërore. Në fund të vitit 2021, Departamenti amerikan i Thesarit i sanksionoi për krim të organizuar dhe korrupsion, duke e përshkruar Veselinoviqin si udhëheqës të një grupi kriminal dhe Radoiçiqin si zëvendës të tij.
Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe. Ai e ka pranuar publikisht se e ka organizuar sulmin në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Kosova e ka akuzuar për terrorizëm dhe e kërkon prej kohësh ekstradimin e tij nga Serbia.
Nova.rs u përpoq ta kontaktojë avokatin e Radoiçiqit, Goran Petroniqeviq, por ai nuk iu përgjigj thirrjeve.
Çka nuk dimë
– Ku gjendet realisht Radoiçiq: në Kirgistan, në Rusi apo diku tjetër.
– Si u largua nga Serbia pa pasaportë dhe a e ka ndihmuar dikush.
– A do ta kërkojë Serbia ndihmën e Interpolit.
– Çka do të ndodhë me gjykimin për Banjskën.






