Daut Krasniqi që bëri përpjekje ta takonte vëllain e tij, ish-zëdhënësin e UÇK-së Jakup Krasniqi për katër ditë sa qëndroi në Kosovë, ka bërë një monolog prekës për emisionin ‘Fiks Fare’ në Shqipëri, që Nacionale e sjell të plotë, të transkriptuar më poshtë:

“Jakup, Dauti jam, mos e hap derën se sot e ka blloku tjetër kush.

Na jemi rritë bashkë në gjinin e nanës, e kemi nda bashkë bukën për gjysmë. Teshat i kemi ndërru. Kurrë fjalë t’keqe s’kemi pasë për 87 vjet. E sot ke ardhë, po nuk po muj me të pa.

Po du me të përqafu po s’po muj.

Më thanë bac, nuk mun me hi, mun me hi po na e prish vizitën. Unë i thashë, jo bacit me prishë e prishtë është boll, po qysh me ndreq.

Kur u ktheva, e mora telefonin, e pashë: Jakup Krasniqi u nis prej Hagës.

Unë mendova se muj me të pa, sikur kur na vdiq vëllau e jemi pa. Kësi hovi hiç.

Po nuk e di çfarë drejtësie është kjo.

Kur e pashë televizorin kur dole për herë të parë si zëdhënës i UÇK-së, i tregove botës për një ushtri çlirimtare dhe kurrë s’u friksove prej armikut e s’u ndale kurrë. I more me vete vëllezërit, djemtë e shokët.

Luftove për këtë tokë të Kosovës dhe je kanë i bindun se ke me fitu dhe fitove dhe kurrë s’u ndale për këtë tokë.

Jakup ti erdhe, por nuk mujta me të pa dhe me të përqafu se nuk ka kund në botë, me ardhë e me ta ndalu përqafimin tonë.

Unë i kam 87 vjet por të pres të vish në liri.

Jakup nuk të lash me shku me dhe e dele, po të çova në shkollë, unë nihna fajtor që të çova në shkollë, e sot erdhe e nejte katër ditë e s’mujta me ta pa fytyrën e me të përqafu, nuk na lanë njerëzit e paftytyrë të rrimë bashkë.

Nuk ka kund në botë të luftosh për vendin e vet, që e kanë çliruar vendin e vet dhe me i gjyku jashtë.

Kur doli me hy në ilegalitet, i thash o vëlla a e di ku je hy? Tha po, kjo është e kryme. Shkoi, isha në Zvicër unë, e dërguan në burg, pas burgut doli, për ditë e rrehshin, një ditë i thashë po hajde në Zvicër si krejt shokët tu. Tha po të tham se po ta doja Amerikën do të kisha ikë në 81-tën, po s’kam dashtë me ikë.

Ooo Jakup, a e mban mend kur ia qelëm derën Adem Jasharit me shokët e vetë, e sot unë erdha te dera jote..

Jakup, kur ke hy në burg, e kam ditë që ke me u lëshu, e tash s’po kam besim në ta hiç. Po shihet… sa i dënuan ata, para tyne, 26 vjet me të thana të hallkut, jo e kanë vra, jo se kanë vra..

I bana 87 vjet, erdha te dera me të përqafu dhe nuk u takuam. Të pashë tuj i përqafu nipat e mbesat, po ne s’u përqafuam. Por të pres në Kosovën tonë të dashur.”