Southamptoni vazhdon me fitore, Broja shkëlqen me gol dhe rekord të ri

Southamptoni ka shënuar fitore të madhe në javën e 18-të në Premierligë, duke e mposhtur Brentfordin para tifozëve të vetë.

Skuadra nga “St.Mary” triumfoi 4:1 ndaj Brentfordit dhe kësisoj është ngritur në tabelë, shkruan Demokracia.com.

Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Armando Broja ka kontribuuar me golin e tretë.

20-vjeçari doli i vetëm me portierin në minutën e 48-të, ndërsa nuk fali duke e dërguar topin në rrjetë.

Bednarek (5’), Fernandez (autogol 37’) dhe Adams (70’) ishin golashënuesit e tjerë për vendasit.

Ndërkaq, golin e “nderit” për mysafirët e realizoi Janelt kur po rrjedhte minuta e 23-të.

“Bomberi” i ri shqiptar ka shënuar një rekord të ri në elitën e futbollit anglez, me golin e shënuar sonte.

Sulmuesi i huazuar nga Chelsea te Southamptoni është bërë lojtari më i ri që ka shënuar më shumë se pesë gola në Premierligë këtë sezon

Armando Broja ndonëse startoi nga minuta e parë, u zëvendësua në minutën e 78-të duke ia liruar vendin bashkëlojtarit të tij, Armstrong.

Southamptoni ndodhet në pozitën e 11-të me 24 pikë, kurse Brentford ka 23 pikë në vendin e 13-të.