Ole Gunnar Solskjaer iu është përgjigjur pretendimeve të ish trajnerit të Manchester United, Louis Van Gaal, se ekipi i tij parkon autobusin dhe luan në kundërsulm.

Fjalët e holandezit rezonuan në njëfarë mënyre me fitoren 2-1 të “Djajve të Kuq” kundër Watford, të dielën, ku golat u shënuan nga Marcus Rashford dhe Anthony Martial.

“Van Gaal ka të drejtë në mendimin e tij, – tha trajneri i Manchester United. – Në disa ndeshje kemi ushtruar me të vërtetë presion lart, e kemi fituar atje topin dhe kemi dominuar. Ai ka folur ndoshta më shumë për ndeshjen e kthimit me PSG, ku u mbrojtëm me të vërtetë mirë dhe kundërsulmuam. Ka rëndësi ku e fitoni topin në futboll, edhe në funksion të mbrojtjes. Ju duhet ta fitoni topin sa më lart të jetë e mundur, për të sulmuar shpejt. Dhe për mua ka dy mënyra.

Themelore në çdo ekip është që të luajë mirë pa topin. Nëse mund ta bëni këtë, atëherë keni një shans të madh. Shumica e lojtarëve këtu kanë punuar me Jose Mourinho, Van Gaal, ndoshta edhe me David Moyes e Sir Alex Ferguson, kështu që kanë marrë mësime të mëdha. Ata i njohin të dyja filozofitë e lojës”.

Çfarë kishte thënë Van Gaal?
“Trajneri pas meje ishte Mourinho, ai vendosi taktikën ‘parko autobusin’ dhe luaj me kundërsulm. Tani ka ardhur një trajner tjetër, i cili parkon autobusin dhe luan në kundërsulm.

Ndryshimi i madh mes Mourinho dhe Solskjaer është se ky i dyti po fiton. Unë nuk jam aty, por mesa duket ka ndryshuar atmosfera në skuadër.

Megjithatë, mënyra se si po luan Manchester United tani nuk është ajo e Ferguson. Është futboll mbrojtës, kundërsulmues. Nëse të pëlqen, të pëlqen. Nëse mendon se është më i bukur se futbolli im sulmues dhe i mërzitshëm, siç e kanë quajtur, atëherë kështu qoftë!”