Trajneri i përkohëshëm

Solari i kënaqur me përgjigjen e futbollistëve pas shkarkimit të Lopeteguit

Trajneri i përkohëshëm, Santiago Solari që u emërua në këtë post të hënën në mbrëmje ka qenë i kënaqur me karakterin e treguar nga futbollistët e tij në fitoren 0-4 në Copa del Rey ndaj skuadrës modeste Melilla.

Julen Lopetegui u shkarkua pas humbjes së thellë 5-1 në “El Clasico” përballë Barcelonës, ndërsa edhe ndeshjet e fundit ishin katastrofale për “mbretërit” nën drejtimin e ish përzgjedhësit të Spanjës.

Solari pas ndeshjes kundër Melillas lavdëroi dëshirën e të besuarve të tij për të nxjerrë më të mirën, veçanërisht me kapitenin Sergio Ramos.

“Skuadra luajti me gëzim, entuziazëm dhe përkushtim, dhe rezultati është frut i kësaj. Ata janë kampionë që e japin maksimumin, sepse po të mos ishin nuk do të fitonin gjithçka. Futbollistët janë të lënduar por ky sport i ka këto dinamika negative. Jam i lumtur me karakterin e ekipit teksa vrapuan shumë dhe e kërkuan golin. Ramos ishte shumë i rëndësishëm kur u inkuadrua, teksa tregoi se edhe në këso situata di ta shtyjë ekipin. Për të fituar nevojitet guximi dhe sakrifica, djemtë bënë një punë të madhe”, deklaroi Solari.

Vinicius Junior ishte njëri prej lojtarëve që u aktivizua nga Real Madrid Castilla dhe Solari e njeh nga afër pasi ishte trajneri i tij deri javën e kaluar. Ish futbollisti i “Los Blancos” dhe Interit kërkoi durim për brazilianin i cili sipas Solarit është ende në fazën e adaptimit për arsye edhe të moshës shumë të re.