Skandali me manipulimin në Unazën e Madhe të Tiranës, ARRSh pezullon punimet

Pas publikimit të skandalit të djeshëm më njërin ndër lotet e ndërtimit të Unazës së Madhe Autoriteti Rrugor ka pezulluar punimet mbi atë segment.

ARRSh reagoi përmes një deklarate për shtyp se derisa të sqarohet situata e krijuar në bashkëpunim dhe me autoritetet amerikane, puna nuk do të vijohet në lotin e parë të segmentit të Unazës së Madhe, i cili kushton plot 40 milionë euro.

“Deri në sqarimin e situatës dhe përgjigjen nga autoritetet amerikane nuk do të vijohet me aktivitetin ndërtimor të kësaj kompanie për lotin Nr.1 të segmentit, që shtrihet nga Ura e Lanës deri tek mbikalimi i sheshit Shqiponja”- njofton ARRSH.

Por sipas Partisë Demokratike, kjo është një tjetër manovër e qeverisë për të bërë të mundur manipulimin e situatës dhe vijimin e punës në një projekt që sipas opozitës është kryekëput korruptiv.

Deputeti Agron Shehaj shkruan në një reagim në rrjetin social se drejtori i ARRSh-së duhet hetuar nga prokuroria, duke përfshirë edhe një hetim serioz për përgjegjësit kryesorë, kryeministrin dhe kryebashkiakun Veliaj.

“Vendimi i sotem i ARRSH-se eshte nje manover mashtruese per te shpetuar hajdutet. Drejtori i ARRSH-se dhe i gjithe stafi drejtues duhet te pezullohen menjehere nga detyra dhe te merren nen hetim menjehere nga prokuroria.

Te gjitha dokumentat e tenderit dhe te projektit duhet te sekuestrohen menjehere qe te mos manipulohen dhe tjetersohen. Keto jane veprimet me minimale.

Hetimi duhet te perfshije edhe kompanite Edi Rama Invest dhe Erion Veliajn Invest qe jane autoret dhe perfituesit e kesaj megavjedhjeje.”-shkruan Shehaj.

Por me çfarë ka të bëjë skandali i cili u publikua ditën e djeshme nga emisioni Të Paekspozuarit?

Emisioni “Të Paekspozuarit”, ka arritur të zbulojë një mega skandal, lidhur me kompaninë Dunëell Haberman (kompania mëmë e DH Albania) e cila është fituese e lotit të parë prej 18 milionë euro për rindërtimin e Unazës së Madhe.

Kjo kompani ka depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Shqipëri, një letër nga Sekretari i Shtetit të Delaëare, Jeffrey Bullock, për të vërtetuar se kompania është themeluar në vitin 1998.

Por, “Të Paekspozuarit”, ka zbuluar se ky dokument është i falsifikuar.

Ne kontaktuam Departamentin e Shtetit të Delaëare, për të vërtetuar autenticitetin e dokumentit që ka depozituar në Shqipëri, kompania offshore. Përgjigja që morëm prej tyre ishte shokuese.

“Pas konsultimit me Departamentin e Korportave të Delaëare, unë mund t’ju deklaroj se dokumentat që ju na keni dërguar, nuk janë autentike dhe nuk e kanë origjinën nga zyra e Sekretarit të Shtetit të Delaëare.

Nga të dhënat e gjurmimit të brendshëm, nuk u gjet asnjë dokument për vërtetimin e gjendjes së entitetin në Delaëare të cilit i referoheni (Dunëell Haberman LLC), që të jetë lëshuar në datën ose rreth datës së shënuar në dokument.

Për më tepër, vërtetimet për gjendjen e kompanive të cilat Departamenti i Korporatave lëshon, nuk kanë përmbajtje të njëjtë me dokumentat të cilat na keni dërguar.

Gjithashtu, dokumentat që ju na keni paraqitur, theksojnë se Dunëell Haberman LLC, është krijuar në 25 Qershor 1998. Të dhënat e Departamentit të Korporatave, tregojnë se ky entitet është krijuar në 25 Qershor 2018, sipas të dhënave publike, bashkëngjitur kësaj letre.”-ishte pergjigja e autoritetit amerikan.

Njëkohësisht emisioni “Të Paekspozuarit”, i dërgoi Departamentit të Shtetit të Delaëare, aktin e themelimit të kompanisë, dorëzuar në QKB-në shqitpare, ku sërish pretendohet se data e themelimit të kompanisë është 25 Qershor 1998.

Përgjigja e zyrtarëve të Departamentit të Shtetit të Delaëare, qe e njëjtë. Edhe ky dokument ishte falsifikuar.

Për të vërtetuar këtë fakt, zyra e Sekretarit të Shtetit të Delaëare, i dërgoi emisionit “Të Paekspozuarit”, çertifikatën origjinale të themelimit të Dunëell Haberman, ku duket qartë se data e themelimit është pikërisht 25 Qershor 2018. Nëse i krahason dokumentat, ata janë thuajse identikë, me përjashtim të datës.

DEKLARATE NGA AUTORITETI RRUGOR SHQIPTAR

Autoriteti Rrugor Shqiptar u vu në dijeni të materialit të transmetuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Të Paekspozuarit” në televizionin Neës 24 për garën e zhvilluar për njërin prej 3 loteve të projektit të Unazës së Madhe të Tiranës, segmenti Pallati me Shigjeta-Sheshi Shqiponja.

Në kuadër të transparencës ndaj opinionit publik, Autoriteti Rrugor Shqiptar sqaron sa vijon:

Procedura e prokurimit është zhvilluar në përputhje me ligjin Nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar, VKM-së Nr.914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të Prokurimit Publik” e ndryshuar. Kjo procedurë bazuar në detyrimet ligjore të mësipërme, është procedurë e hapur, e zhvilluar në mënyrë elektronike përmes Agjencisë së Prokurimeve Publike.

Autoriteti Kontraktor ka nënshkruar kontratën me bashkimin e përkohshëm të operatorëve ekonomik “Biba X shpk” dhe “DH Albania shpk- degë e shoqërisë së huaj”, pasi ka konstatuar që dokumentet janë në përputhje me kriteret e dhëna në dokumentet e tenderit. Operatori ekonomik “DH Albania shpk- degë e shoqërisë së huaj”, pjesë e këtij bashkimi, ka paraqitur dokumentacionin të përkthyer dhe të noterizuar në gjuhën shqipe, ku kompania mëmë “Dunëell Haberman” rezulton e regjistruar dhe ushtron aktivitetin në një prej shteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, konkretisht në shtetin Delaëare.

Në përmbushje të kritereve të dhëna në dokumentet e tenderit ka bërë regjistrimin në Qendrën Kombëtare të Bizneseve dhe njësimin e licencës duke respektuar Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.42 datë 16.01.2008, “Për miratimin e rregullores për kriteret dhe procedurat e dhënies së licencave profesionale të zbatimit, klasifikimit dhe disiplinimit të subjekteve juridike që ushtrojnë veprimtari ndërtimi”. Njësimi i saj ka konkluduar me një nivel maksimal të licensimit, bazuar në veprimtarinë ekonomike të saj në vendin e origjinës, duke mbajtur kategoritë maksimale (kategoria G).

Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk ka patur ndonjë indicie që vë në dyshim vërtetësinë e dokumentave të paraqitura e cila do mund të çonte në një procedurë verifikimi paraprak.

Kontrata e nënshkruar me këtë bashkim operatorësh në fjalë për këtë lot të Unazës nuk ka prodhuar asnjë efekt financiar për Buxhetin e Shtetit.

Në funksion të sqarimit të plotë të situatës dhe pretendimeve të shfaqura në emisionin “Të Paekspozuesit”, janë ndërmarrë këto veprime:

1. ARRSH i është drejtuar institucioneve që përmes komunikimit me rrugë zyrtare tu kërkohet autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të verifikuar dokumentet e paraqitura në institucionet shqiptare nga kompania në procedurën e garës.

2. Deri në sqarimin e situatës dhe përgjigjen nga autoritetet amerikane nuk do të vijohet me aktivitetin ndërtimor të kësaj kompanie për lotin Nr.1 të segmentit, që shtrihet nga Ura e Lanës deri tek mbikalimi i sheshit Shqiponja.

3. Në rast se autoritetet amerikane do të konfirmojnë zyrtarisht pretendimet për falsifikime dokumentacioni nga kjo kompani, në zbatim të përcaktimeve ligjore, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të zgjidhë kontratën në mënyrë të njëanshme dhe do ndjekë procedurat e tjera të përcaktuara në ligj. Në rast të zgjidhjes së kontratës, ARRSH do të rifillojë menjëherë procedurat e prokurimit për këtë lot për të mundësuar përfundimin në kohë të këtij projekti të rëndësishëm për kryeqytetin.

Autoriteti Rrugor Shqiptar garanton opinionin publik se është i vendosur të mbrojë maksimalisht interesat e shtetit shqiptar duke zbatuar përcaktimet ligjore për çdo situatë të tillë.