Manchester United u mposht 3-1 në derbin ndaj Liverpoolit të zhvilluar dje në “Anfield”, ndërsa trajneri i “Djajve të Kuq”, Jose Mourinho mendon se vendi i katërt në Premier League është maksimumi që skuadra e tij mund ta arrijë.
Dy golëshi i Xherdan Shaqirit fundosi Unitedin në “North West Derby”, me 20 herë kampionët e Anglisë që mbeten në pozitën e 6-të me 19 pikë më pak se “The Reds” që janë lider të Premier Leagues.
I pyetur nëse mund të rregullojë situatën te skuadra nga “Old Trafford”, Mourinho u përgjigj:
“Çfarë dëshiron të thoni me ‘rregullim’? Doni të thoni që të fitojmë titullin? Nuk mund ta rregullojë këtë. Ne ende mund të përfundojmë në vendin e 4-të, mendoj se nuk është e lehtë, sigurisht se do të jemi në top 6-të sikur gjithë skuadrat e tjera të mëdha, por më e mira që mund të arrijmë është vendi i 4-të. Tani duhet të shikojmë vendin e 5-të dhe pastaj mundësisht më vonë të katërtin”, theksoi Mourinho.
Ish trajneri i Real Madridit, Chelseat dhe Interit i mbrojti taktikat e tij defansive duke thënë se skuadra e tij nuk mund të konkurrojë me atë të Liverpoolit.
“Liverpooli është skuadër më e mirë, ne nuk mund të krahasohemi me intensitetin, fizikalitetin dhe kualitetet teknike të tyre. Duke e thënë këtë ne ishim në lojë deri në momentin e golit të tretë dhe kishim numrin e njëjtë të mundësive për të shënuar në 10-15 minutat e fundit”, përmbylli fjalët e tij Mourinho.







