Jurgen Klopp beson se Liverpooli ka bërë progres dhe tani është në gjendje të mbajë në skuadër lojtarët më të mirë përkundër ofertave nga klube të rëndësishme europiane.
Sipas trajnerit të “The Reds”, rinovimi i Sadio Manes këtë javë, dhe zgjatja e kontratës të Mohamed Salah dhe Roberto Firminos më herët janë dëshmi se Liverpooli nuk është më trampolinë për të kaluar në klube tjera të mëdha.
Gjatë dekadës së fundit nga “Anfield” janë larguar lojtarë shumë të rëndësishëm si Luis Suarez, Fernando Torres, Xabi Alonso dhe së fundmi Philippe Coutinho, por për Klopp këto largime nuk do të përsëriten në të ardhmen.
“Nëse një lojtar është në formë të mirë dhe ju i rinovoni kontratën, e ka kuptimin e më shumë se një transferimi, është qëndrim, jam i lumtur për këtë. Tregon shumë për ndryshimet që janë bërë te klubi në vitet e fundit. Disa vite më parë vazhdimisht ndodhte që futbollistët që kalonin momente të mira në karrierën e tyre vendosnin të trasnferoheshin diku tjetër për të bërë hapin e rradhës në karrierë. Tani lojtarët mendojnë se mund ta arrijnë një gjë të tillë këtu, dhe kjo është gjë e mirë”, tregoi Klopp.
Liverpooli së bashku me Manchester Cityn dhe Chelsean janë të pamposhtur në Premier League këtë sezon, ndërsa “The Reds” udhëtojnë sot në Watford për të zhvilluar ndeshjen e javës së 13-të në elitën e futbollit anglez.







