Si u bë Kosova e pajetueshme për kunatin e ministres Haxhiu

E premtja e 28 prillit 2023, do të jetë e fundit për Dardan Krasniqin para largimit nga vendi. As qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, nuk e ka bindur të qëndrojë në Kosovë ndjekësin besnik të Lëvizjes Vetëvendosje.

As qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, nuk i ka bindur kosovarët që të qëndrojnë në shtëpi.

Në shtator të vitit të kaluar, pothuajse një vit e gjysmë pas marrjes së mandatit të dytë si shef qeverie, kryeministri Albin Kurti e ka pranuar se “vazhdimisht do të ketë ikje nga Kosova”.

Trendit të ikjes nuk i ka shpëtuar as Dardan Krasniqi, një aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje të Kurtit dhe ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai nuk mund ta imagjinojë më jetesën në Kosovë.

Krasniqi, që ka avokuar aq shumë për ngjitjen në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje, ka vendosur ta braktisë Kosovën bashkë me familjen e tij në kërkim të një jete të re jashtë vendit.

Derisa mbështeste rritjen e Albin Kurtit në opozitë, Krasniqi kritikonte ashpër ish-pushtetarët e Kosovës, të cilëve iu vendoste përgjegjësinë për Kosovën “e pajetueshme”.

Në përvjetorin e tetë të Ditës së Pavarësisë, më 17 shkurt 2016, ai kërcënonte me vrasje ish-presidentin Hashim Thaçi.

“Mbaje mend Hashim Thaçi se nuk ke me pas vendin në Kosovë, ke me pas fatin e secilit diktator. Ti dhe familja jote”, shkruante Krasniqi.

Shtatë vite më vonë dhe dy vite me qeverisjen e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Krasniqi e ka humbur shpresën. Aktivisti i LVV-së është shprehur i dëshpëruar nga abuzimet që vazhdojnë në qeverisje, të cilat thotë ai, “po i ndodhin të gjitha kategorive të shoqërisë sonë”.

“Ne po e paguajmë çmimin e ikjes vetëm që ta mbajmë, sinqerisht, kurrizin drejt dhe ballin hapur”, tha Krasniqi të enjten në një deklaratë për televizionin T7.

I njohur për aktivizmin politik, paraqitjet e shpeshta publike dhe afërsinë familjare me Albulena Haxhiun, ministren e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Krasniqi ka ndërruar kurs ndaj qeverisë së Lëvizjes Vetëvendosje të cilën e kishte mbështetur për disa vite me radhë në opozitë, shkruan Paparaci.

Krasniqi, sidomos gjatë muajve të fundit, është shprehur kritik ndaj punës së zyrtarëve të lartë të qeverisë, por edhe sistemit të drejtësisë. Nuk e ka duruar lirimin nga akuzat të katër ish-ministrave që ishin të përfshirë në rastin e privatizimit të hidrocentraleve dhe KEDS-it. Në mesin e tyre, edhe të ish-ministres së Tregtisë, tash shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lilës.

Ai e ka cilësuar si “tronditje” dhe të “pa koment” gjendjen në Kosovë.

“Nuk ka koment për atë se çka është duke ndodhë”, është shprehur Krasniqi, me lot në sy të enjten. “Kërkoj falje për arsye se… me të vërtetë ndihem keq, por kjo është jeta. Nuk kemi derdhë lot, kemi këndu kur na janë vrarë shokët e luftës por çmimi i ikjes qenka shumë i madh”.

E premtja e 28 prillit 2023, do të jetë e fundit për Dardan Krasniqin para largimit nga vendi.

“Unë nesër [sot] do të udhëtojë vetëm, por kam vendos që fëmijët e mi ta përfundojnë vitin e mbetur shkollor dhe të më bashkëngjiten mua në gusht”, pohoi ai në intervistën për T7.

I dëshpëruar me qeverinë e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, pjesë e së cilës është edhe Albulena Haxhiu, me të cilën ai ka lidhje familjare, Krasniqi ka insistuar që emri i tij të mos ndërlidhet vetëm me ministren e Drejtësisë.

”Unë ndihem mirë për Albulenën, por unë kam kontribuar edhe para se ta njihja atë“, ka thënë ai në një deklarim për media disa ditë më parë.

E ka pranuar se fakti që është kunati i Albulena Haxhiut e ka penalizuar shpeshherë.

”Jam penalizuar për faktin se jam kunat i Albulena Haxhiut, edhe ne të kaluarën edhe tash, bile tash në qeverisjen e Vetëvendosjes edhe më shumë“, theksoi Krasniqi.