“Si ta paguash PSG-në kur s’ke para?” – Messi thotë se Barça s’mund ta blejë Neymarin

Lionel Messi nuk beson se Barcelona do të jetë në gjendje të përballojë kthimin e Neymarit në klub, për shkak të krizës financiare.

Që prej se iu bashkua PSG-së për një shumë rekorde botërore prej 222 milionë eurove në vitin 2017, për Neymarin është përfolur vazhdimisht se do të kthehet në Camp Nou për t’u ribashkuar me Messin.

Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri tani dhe duke e parë krizën financiare me të cilën po përballet Barcelona, kthimi i Neymarit nuk duket shumë i mundur.

Së fundmi, ylli brazilian e theksoi dëshirën për të luajtur përsëri përkrah Messit nga sezonit i ardhshëm, por është e paqartë se ku do të mundë të ndodhte ribashkimi i tyre.

Duke folur për La Sexta, Messi e pranoi se Barça nuk ka para për të sjellë në klub yje të mëdha, aq më pak një lojtar të shtrenjtë si Neymar.

“Si ta paguash Parisin për transferimin e tij?” pyeti Messi. “Nuk është e lehtë, presidenti i ri do ta ketë shumë të vështirë. Atij do t’i duhet të jetë shumë inteligjent për t’i vënë gjërat rend dhe për të bërë shumë ndryshime për të mirë”.

Ai shtoi: “Do të jetë e vështirë për të sjellë lojtarë, sepse ne kemi nevojë për para dhe para nuk ka”.