Maqedonia e Veriut

Si mund ta përcaktojnë shqiptarët fatin e Presidentit të ardhshëm në Maqedoninë e Veriut: Shpjegojmë

Gordana Siljanovska – Dakova e VMRO – DPMNE dhe Stevo Pendarovski nga LSDM, do të përballen në rundin e dytë më 8 maj për postin e presidentit të Maqedonisë së Veriut. Si mund ta përcaktojnë shqiptarët, fatin e njërit ose tjetrit?

Është situatë e njëjtë: në zgjedhjet e vitit 2019, kandidatja opozitare Gordana Siljanovska-Dakova, kishte shkuar në balotazh me Stevo Pendarovskin.

Por ky i fundit, do ta mundtte Siljanovska-Davkovan, falë votave të shqiptarëve që përmbysën rezultatin e kësaj të fundit.

Në zgjedhjet e djeshme të raundit të parë presidencial në Maqedoninë e Veriut, Davkova ka një epërsi prej 180 mijë votash përballë Pendarovskit.

Siljanovska Davkova, sipas rezultateve fillestare jozyrtare të Komisionit shtetëror zgjedhor nga votat e numëruara, ka fituar 349.746 vota – 40,23 përqind, përderisa Pendarovski 173,612 vota përkatësisht 19,97 përqind.

I treti në listë, është kandidati shqiptar i Frontit Evropian, Bujar Osmani me 116 mijë e 319 vota ose 13,38% të votave.

Pas tij, është kandidati i koalicionit VLEN, Arben Taravari me 81 mijë e 671 vota ose 13,38 % të votave.

Ndërsa, Maksim Dimitrievski nga ZNAM me 76.894 (8,85), Biljana Vankovska me 39.660 (4,56) e mbështetur nga E Majta, dhe me më së paku vota është Stevço Jakimovski nga GROM me 7.898 vota.

Duke qenë që Bujar Osmani dhe Arben Taravari, së bashku kanë rreth 200 mijë vota në zgjedhjet e djeshme, atëherë Pendarovskit i duhet mbështetja e të dyve, për ta mundur Davkovën.

Arben Taravari i koalicionit VLEN, pasi ka marrë një mesazh urues nga kryetari i VMRO-së, Hristijan Mickoski, ka thënë se ‘ende nuk kanë vendosur se për kë do të shkojë mbështetja në zgjedhjet e 8 majit’.

Bujar Osmani, kandidati që doli i treti me vota në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, nuk ka folur ende se kujt do t’i takojë mbështetja e koalicionit Fronti Evropian, por ai mbrëmë deklaroi veç tjerash si më poshtë:

“U japim fjalën se askush kurrën e kurrës nuk do të vendosë më për fatin e tyre. Vullneti është i qartë dhe duhet të respktohet nga të gjithë.

Sa i takon zgjedhjeve në përgjithësi, ende presim rezultatet finale për raundin e dytë. Ka përshtypje që votuesit ende nuk kanë kaluar barrierat etnike dhe pikërisht për këtë arsye, angazhimi im është zgjedhja e presidentit në Kuvend me shumicë të dyfishtë.

Do vazhojmë t’i presim rezultatet për raundin e dytë por zotimi im programor është që këto zgjedhje të jenë të fundit që mbahen në këtë mënyrë dhe presidentin e ardhshëm do e kemi në Kuvend me 2/3.

Edhe ata që kanë dilemën më të vogël, i thërrasim që t’i bashkohen Frontit sepse jemi garant për jetesën në harmoni”, tha Osmani.