Sot është dita e 100

Si e transformoi lufta Izrael – Hamas rajonin për 100 ditë

Sot është dita e 100-të e luftës mes Izraelit dhe Hamasit

Kjo luftë tashmë është më e gjata dhe me më së shumti viktima nga luftërat mes Izraelit e palestinezëve, që nga krijimi i shtetit të Izraelit në vitin 1948, dhe lufta s’po duket se do të mbarojë së shpejti.

Izraeli shpalli luftë si reagim ndaj sulmit të pashembullt të Hamasit në Izrael më 7 tetor, ku u vranë 1200 persona, kryesisht civilë, dhe u morën mbi 250 pengje.

Ishte sulmi më vrasës në histori të Izraelit dhe më vrasësi për hebrenjtë që nga Holokausti.

Izraeli reagoi me javë të tëra të sulmeve intensive ajrore në Gaza, para se ta zgjerojë edhe në operacion tokësor. Thotë se synimi është ta shkatërrojë Hamasin dhe të lirojë edhe mbi 100 pengje që ende raportohet se mbahen në Gaza.

Ofensiva ka sjellë shkatërrim të pashembullt mbi Gazën. Por kur janë bërë 100 ditë, Hamasi mbetet kryesisht i paprekur dhe pengjet mbeten në robëri. Ushtria izraelite thotë se lufta do të zgjasë edhe gjatë vitit 2024.

Këtu janë pesë të dhëna nga 100 ditët e para të një konflikti që tronditi rajonin.

Izraeli kurrë s’do të jetë i njëjti

Sulmi i 7 tetorit e zuri në befasi Izraelin dhe shkatërroi besimin në udhëheqësit e tij.

Derisa publiku i ka treguar përkrahje ushtrisë për luftën në Gaza, ai mbetet plotësisht i traumatizuar nga ngjarja.

Vendi duket se po e rijeton 7 tetorin – familjet u vranë në shtëpitë e tyre, pjesëmarrësit në një festival muzikor u qëlluan me armë zjarri dhe fëmijët dhe të moshuarit rrëmbeheshin me motoçikleta – çdo ditë.

Fotografi të pengjeve që mbesin në robërinë e Hamasit gjenden nëpër rrugët publike dhe njerëzit veshin bluza që u bëjnë thirrje udhëheqësve për “t’i sjellë pengjet në shtëpi”.

Kanalet izraelite të lajmeve u kushtojnë transmetimet e tyre mbulimit të luftës. Transmetojnë pa ndalur rrëfime të tragjedisë dhe heroizmave të 7 tetorit. Histori për pengjet dhe familjet e tyre, funerale të ushtarëve të vrarë në aksione dhe raportime nga Gaza nga korrespondentët që shihen të buzëqeshur përkrah trupave.

Ka pak diskutime në Izrael lidhur me rritjen e numrit të viktimave dhe përkeqësimit të situatës humanitare në Gaza. Rrallë përmenden planet për Gazën e pasluftës.

Një gjë mbetet konstante. Ndërsa zyrtarët izraelitë të sigurisë kanë kërkuar falje dhe kanë sinjalizuar se do të japin dorëheqje pas luftës, kryeministri Benjamin Netanyahu mbetet i vendosur të qëndrojë në postë.

Pavarësisht rënies së dukshme në popullaritet, Netanyahu u ka rezistuar thirrjeve për të kërkuar falje e për t’u dorëhequr apo për t’i hetuar dështimet e qeverisë së tij. Netanyahu, që ka udhëhequr vendin për pothuajse 15 vjetët e fundit, thotë se do të ketë kohë pas luftës që të bëhen hetime.

Historiani Tom Segev thotë se lufta do ta tronditë vendin për vite dhe ndoshta edhe për brezat që do të vijnë. Ai tha se dështimet e 7 tetorit dhe pamundësia për t’i sjellë pengjet në shtëpi kanë krijuar një ndjenjë tradhtie dhe po humb besimi te Qeveria.

“Izraelitëve u pëlqen që luftërat e tyre të ecin mirë. Kjo luftë nuk po shkon aq mirë. Shumë njerëz kanë ndjenjën se diçka nuk është në rregull këtu”, ka thënë Segev.

Gaza s’do të jetë kurrë e njëjtë

Kushtet para 7 tetorit ishin mjaft të vështira në Gaza, pas një bllokade që ishte vendosur nga Izraeli dhe Egjipti, pasi Hamasi mori kontrollin e territorit në vitin 2007. Sot Gaza s’njihet më.

Ekspertët thonë se bombardimet izraelite janë ndër më intensivet në historinë moderne. Autoritetet shëndetësore të Gazës thonë se numri i të vdekurve tashmë ka kaluar shifrën 23 mijë, rreth 1 për qind të popullsisë në territorin palestinez. Mijëra të tjerë mbeten të zhdukur apo të plagosur rëndë. Mbi 80 për qind e popullatës është zhvendosur dhe dhjetëra e mijëra njerëz janë grumbulluar me tenda të përhapura në pjesë të vogla në Gazën jugore, që po ashtu ka qenë shënjestër e sulmeve izraelite.

Jamon Va nden Hoek, një ekspert hartash në Universitetin Shtetëror të Oregonit, vlerëson se afërsisht gjysma e ndërtesave të Gazës janë dëmtuar apo shkatërruar, bazuar në analizat televizorë.

“Shkalla e mundshme e shkatërrimit nëpër Gaza është e jashtëzakonshme”, ka thënë Va nden Hoek.

Kostoja njerëzore është, po ashtu, shumë e madhe. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se rreth një e katërta e popullsisë së Gazës është e uritur. Vetëm 15 nga 36 spitalet e Gazës janë pjesërisht funksionale, sipas OKB-së, duke lënë sistemin mjekësor buzë kolapsit. Fëmijët kanë humbur me muaj mësim dhe nuk ka asnjë perspektivë për rikthim të mësimit.

“Gaza është thjesht e pabanueshme”, ka thënë Martin Griffiths, shef humanitar i OKB-së.

E gjitha e lidhur

Lufta është përhapur nëpër Lindje të Mesme, duke kërcënuar të përshkallëzohet në një konflikt më të gjerë, duke vënë përballë një aleancë të udhëhequr nga SHBA-ja kundër grupeve militante të mbështetura nga Irani.

Pothuajse menjëherë pas sulmit të Hamasit, militantët e Hezbollahut, të mbështetur nga Irani, në Liban filluan të godasin Izraelin. Kjo nxiti kundërsulme izraelite.

Luftimet mes Izraelit e Hezbollahut nuk kanë shpërthyer në luftë të plotë. Por është mjaft afër. Së fundi përshkallëzoi situata më 2 janar, kur një sulm ajror, për të cilin u tha se Izraeli ishte përgjegjës, vrau një zyrtar të lartë të Hamasit në Bejrut.

Hezbollahu u përgjigj me breshëri sulmesh në bazat ushtarake izraelite, ndërsa Izraeli vrau disa komandantë të Hezbollahut në sulme të tjera ajrore.

Në të njëjtën kohë rebelët Houthi të mbështetur nga Irani, në Jemen, kanë kryer një seri sulmesh ndaj anijeve civile të mallrave në Detin e Kuq. Ndërkohë grupet e mbështetura nga Irani kanë sulmuar forcat amerikane edhe në Irak e Siri.

SHBA-ja ka dërguar anijet luftarake në Mesdhe dhe në Detin e Kuq për ta frenuar dhunën.

Të enjten vonë ushtria amerikane dhe ajo britanike bombarduan dhjetëra baza të Houthive në Jemen. Houthët u zotuan të hakmerren, duke rritur mundësinë e një konflikti më të gjerë.

Izraeli s’mund t’i injorojë palestinezët

Gjatë gjithë kohës së tij në detyrë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është munduar ta anashkalojë çështjen palestineze.

Ai ka refuzuar disa iniciativa të paqes, ka hedhur poshtë si të dobët apo të parëndësishëm Autoritetin Palestinez të njohur ndërkombëtarisht dhe ka promovuar politikat që i lanë palestinezët e ndarë mes qeverive rivale në Gaza dhe në Bregun Perëndimor.

Në vend të kësaj, ai është përpjekur t’i normalizojë marrëdhëniet me vendet e tjera arabe, me shpresën për t’i izoluar palestinezët dhe për t’iu bërë presion atyre që të pranojnë një marrëveshje që godet ëndrrat e tyre për pavarësi. Pak para 7 tetorit, Netanyahu mburrej me përpjekjet për të krijuar lidhje me Arabinë Saudite.

Sulmi i Hamasit, së bashku me një rritje të dhunës në Bregun Perëndimor, e ka sjellë përsëri konfliktin izraelito-palestinez në qendër. Lufta tash zë vendin kryesor në edicionet e lajmeve në mbarë botën, ndërsa sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka bërë katër vizita në rajon dhe, po ashtu, është hapur një rast për gjenocid kundër Izraelit në gjykatë në OKB.

Sauditët kanë ringjallur mundësinë e vendosjes së lidhjeve me Izraelin, por vetëm nëse kjo përfshin krijimin e një shteti të pavarur palestinez.

“Zhvillimet e dhimbshme të 100 ditëve të fundit kanë vërtetuar pa dyshim se çështja palestineze dhe populli palestinez nuk mund të injorohen”, ka thënë Nabil Abu Rudeineh, zëdhënës i presidentit palestinez, Mahmoud Abbas.

S’ka një plan të pasluftës

Ndërsa lufta po zvarritet dhe shifra e të vdekurve po rritet, nuk ka një rrugë të qartë se kur do të përfundojnë luftimet apo se çfarë do të pasojë.

Izraeli thotë se Hamasi nuk mund të luajë asnjë rol në të ardhmen e Gazës. Hamasi thotë se kjo është iluzion.

SHBA-ja dhe komuniteti ndërkombëtar duan ta ringjallin Autoritetin Palestinez që ta qeverisë Gazën dhe, po ashtu, të hapet rruga drejt një zgjidhjeje me dy shtete. Izraeli e kundërshton këtë.

Izraeli dëshiron të mbajë prani ushtarake afatgjatë në Gaza. SHBA-ja nuk do që Izraeli ta ripushtojë sërish territorin.
Rindërtimi i Gazës do të marrë kohë me vite. Është e paqartë se kush do ta paguajë apo se si do të hyjnë materialet e kërkuara në territor, kur dihet se kalimi është i kufizuar. Dhe me kaq shumë shtëpi të shkatërruara, ku do të qëndrojnë njerëzit gjatë këtij procesi të gjatë?

“Jeta jonë 100 ditë më parë ishte e shkëlqyer. Ne kishim vetura dhe shtëpi”, thotë Halima Abu Daqa, një palestineze e cila u zhvendos nga shtëpia e saj në Gazën jugore dhe tash jeton në një kamp me tenda. “Ne jemi të privuar nga çdo gjë. Gjithçka ka ndryshuar dhe asgjë s’ka mbetur”.