Berisha: Gjyqin Veliajt do ia bëjmë në sheshin “Skënderbej”

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha bëri akuza të forta ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Berisha tha se protestat ndaj tij nuk do të ndalen pasi ai nuk e meriton të qëndrojë më në atë detyrë, përcjell klankosova.tv.

”Miqtë e mi, dje ishte dita e shpërfytyrimit të kryehajdutit të Tiranës, Erion Veliaj. Dje ishte dita në të cilën ai doli para gjithë Shqipërisë dhe botës si një rrenacak ordiner. Si një shpifarak i neveritshëm. Por ndryshe hajduti më i madh i Tiranës nuk mund të jetë veçse si ai. Dje, nga vrima e miut ku ishte futur, i rrethuar dhe i mbrojtur nga 1 mijë policë, çonte sharje dhe ultimatume. Por unë jam sot këtu para jush t’i them se nuk ka forcë në botë që të shpëton nga qytetarët. Jam para jush për t’u thënë skapistëve se nuk ka forcë që do u shpëtojë nga qytetarët. Jam para jush për t’i thënë Erion Velisë se vjedhjen e shekullit nuk e falim kurrë. Jam para jush për t’i thënë Skrapit të partisë se vjedhja e shekullit do ju djegë në flakët e tij edhe ju. Erion Veliaj, je simboli më i degjeneruar, më i degraduar i hajnit dhe mashtruesit. Erion Veliaj, jep dorëheqjen se nuk ka forcë në botë që të të mbrojë ty. Se vendi yt, jo sot, por prej 4 vitesh duhej të ishte në qeli. Në qeli të thellë për vjedhjen e tmerrshme që i ke bërë Shqipërisë”, tha Berisha.

Ish-kryeministri tha se Veliaj nuk do t’i shpëtojë dot vjedhjes që është bërë me inceneratorët.

”Erion Veliaj, kërkon të lash duart me djegësat. Por nuk je ti mo hajdut që i ke dërguar Shkëlqim Canit dhe më pas Arben Ahmetajt 5 shkresa, ku i kërkoje financimin e djegësit të Tiranës. A je ti apo është një tjetër ky? Po ke ti fytyrë, moral të lash duart pse të amnistojnë Dumanë dhe Zamanë, llumra të drejtësisë në Shqipëri dhe botë?”.

”Po ke ti fytyrë, moral të përpiqesh të lash duart se të amniston Dumani yt, në një kohë kur ke vendosur firmën në emër të Këshillit Bashkiak pa e mbledhur atë? Ke firmosur në emër të Këshillit të Qarkut, pa e mbledhur atë. I ke dhënë 8 pikë me përfaqësuesit e tu, kompanisë që nuk ekzistonte mbi tokë. A nuk je ti, i zotuar me firmë dhe vulë se do mbikëqyrësh çdo punim, se do raportosh çdo muaj për situacionet e djegësit 130 milionë, që nuk ekziston as nam dhe as nishan, vetëm e vetëm se ti i çojë paratë në kontot e tua offshore o hajdut”.

”O hajdut që kërkon atë që do të marrësh. A nuk je ti o hajdut që duke vjedhur qytetarët e Tiranës, ke 5 vite që zbaton tarifën 29 euro, që është tarifa e djegies së plehrave, në një kohë që nuk ke djegur një kg?”.

”A nuk je ti o hajdut i shpërfytyruar që ke marrë në dorë ndërmarrjen e dherave dhe inerteve, duke garantuar kështu 60 milionë euro të tjera për kompaninë tënde? Këto t’i fshehin Dumanë dhe Zamanë, por i garantoj se në pleh do përfundojnë edhe ata. Plehu, vendin e ka në pleh”.

”A nuk je ti mor rrenacak i pakarakter që u deklaron qytetarëve të Tiranës se ke mbjellë 1 milion pemë vetëm për të vjedhur tarifën e 1 milion fidanëve? A nuk je ti që ndërton shkolla me 8-fishin e standardit evropian dhe mësuesit numërojnë kafshatën dhe mezi mbyllin muajin? Thirri mor mendjes se nuk ka forcë në botë që të shpëton ty”.

”Erion Veliaj, në qoftë se do të shpëtosh, mos shko në Skap, por shko drejt te 313-a, përndryshe gjyqin do ta bëjnë në sheshin Skënderbej. Dhe do gdhendin me germa të zeza emrin tënd në shtyllën e turpit të historisë”, tha Berisha/lapsi.al.