Me miratimin e projekt-buxhetit të ri nga Qeveria shqiptare (dhe pritjen e një miratimi eventual në Parlament), Shqipëria zyrtarisht pritet të kapë për të parën herë prej anëtarësimit në NATO, kuotën e 2% të investimeve buxhetore për Ushtrinë, siç kërkohet edhe nga organizata.
Këtë gjë e ka vërtetuar edhe ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, i cili e pasqyroi më 27 tetor këtë buxhet dhe e nënvizoi qartësisht faktin se kërkesa e NATO-s për të pasur investime ushtarake në vlerën e 2% të gjithë buxhetit, do të zbatohet më në fund nga Shqipëria.
Këtë kuotë në fakt, një pjesë e mirë e vendeve të aleancës nuk e kanë kapur në vitin 2022 dhe ndaj me ngul NATO ka kërkuar që të merren masa për ta arritur atë.
Shqipëria gjithsesi – edhe pse vend i vogël dhe me pak peshë ushtarake ndër të mëdhenjtë e aleancës – ka vepruar menjëherë për të adresuar problemet.
Në terma të gjerë, vendet e organizatës, të cilat më së shumti investojnë kapital buxhetor në sektorin ushtarak janë Greqia dhe SHBA-të, të cilat kalojnë mbi 3% të totalit të buxhetit shtetëror, që shkon për Ushtrinë.
Polonia, Lituania, Estonia, Britania e Madhe, Letonia, Kroacia, Sllovakia dhe Rumania, po ashtu gjatë vitit 2022 e kanë arritur kuotën e 2% të shpenzimeve buxhetore për Ushtrinë.
Por vende të tjera, ndër të cilat edhe me peshë shumë të madhe ushtarake, si Franca, Italia, Spanja, apo Turqia (fuqia e dytë ushtarake brenda NATO-s), nuk kalojnë dot kuotën.
Shqipëria mesatarisht ka pasur në vitet e fundit shpenzime për Ushtrinë që shkonin në kuotat mes 1.4-1.7%, por pa e arritur ndonjëherë “shifrën e artë” prej 2%.
Optimizëm se kjo mund të arrihej në 2023, ka pasur edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili gjatë një ministeriali të NATO-s më 17 qershor, tha se objektivi i caktuar do të arrihej.
Ai mbështeti gjithashtu Planin e Veprimit të NATO-s për Prodhimin e Mbrojtjes për rikuperimin e kapaciteteve.
NATO po punon prej kohësh për një premtim më ambicioz për investime në mbrojtje që përcakton 2% të prodhimit të brendshëm bruto “si minimum për të investuar në mbrojtje”.
Ky lajm vjen edhe në një kohë të vështirë për kontinetin evropian dhe gjithë botën, me shpërthimin e luftës në Ukrainë fillimisht dhe më tej përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, mes Izraelit dhe Hamasit, i cili mund të zgjerohet edhe më tej.







