Shokon 29 vjeçarja: Jam më e lumtur tani në karrige me rrota

Kjo vajzë thotë se është më e lumtur tani që humbi aftësinë për të ecur, se kur ishte në gjendje të mirë fizike.

Monica Thomas, 29 vjeç , u diagnostikua me “Charcot-Marie-Tooth (CMT)”, një sëmundje e trashëgueshme, që nisi të shfaqej që kur ishte dy vjeç.

CMT-ja shkakton dobësim të muskujve, harkim të këmbëve, ose sheshim të këmbëve dhe përkeqësohet me kalimin e moshës.

Në moshën 19 vjeçare, Monica nga Indiana e SHBA, u detyrua të përdorte karrocën me rrota, por kjo jo vetëm që nuk e dekurajoi, por përkundrazi. Ajo e përshkruan karrocën e saj si “bileta e lirisë”, pasi për shumë vite përdori patericat.

Blogeria shpjegon: “Ndërkohë që disa njerëz mund ta shohin karrocën me rrota si një lloj burgu, për mua ajo është liria ime. Tani mund të spostohem me më shumë lehtësi.”

“Nuk jam më e frikësuar për të vajtur në vende të reja dhe nuk shpenzoj kohë të gjej ku të spostohem apo të shqetësohem për të gjetur një vend ku të ulem. Në fund të fundit, kam gjithnjë një vend ku të ulem.”

“Tani jam më e lumtur, më e sigurt në vetvete. Tani kam më shumë dashuri për trupin tim, me gjithë mutacionet gjenetike dhe gjithçka tjetër.”

Pavarësisht kushteve shëndetësore të Monica-s, fillimisht trupi i saj degradoi më shpejt se anëtarët e tjerë të familjes që kishin të njëjtën sëmundje.

Ajo thotë: “Unë isha vetëm 5 vjeç kur përdora patericat e para, tre vjet pas diagnostikimit.

“Babai im u diagnostikua me këtë sëmundje kur ishte 5 vjeç, por nuk kishte nevojë për paterica derisa shkoi 50 vjeç.

“Ndërsa gjendja ime dukej normale teksa rritesha me anëtarët e familjes që kishin CMT, u bë e qartë se sëmundja ime po përparonte më shpejt se e tyrja kur hyra në kopsht.”

Teksa Monica rritej, ajo nisi të shohë ndryshimin mes saj dhe dhe fëmijëve të tjerë në shkollë.

Ajo thotë: “Ishte shumë më e vështirë. Unë isha si një njeri ndryshe, apo ‘diçka tjetër’. Isha e mërzitur shumicën e kohës, ndonjëherë e zemëruar.

“Shpesh ndjeja padrejtësi teksa të gjithë duhet të ndiheshim si fëmijë, por në vend që të dëshiroja lodra, unë doja thjesht të lëvizja rreth e rrotull.”

Por shpejt iu desh të përshtatej me aftësitë e saj fizike, gjithnjë në ndryshim.

Monica thotë: “Pikërisht atëherë kur ti nis të pranosh dështimin e trupit tënd, sëmundja CMT nuk është larg, e gatshme për të kapur një pjesë tjetër të tij.”

“Brenda një dekade, unë kalova nga patericat tek karrigia me rrota.

“Duhet kohë dhe energji për të pranuar të gjitha këto, sepses a herë ka një ndryshim, duket sikur të përmbyset jeta.”

Tani Monica kupton se karrigia me rrota e ka bërë më të sigurt tek vetja se më parë dhe sidomos kur u martua me bashkëshortin e saj Alec në vitin 2015.

Ajo po ndan tani historinë e saj për të edukuar të tjerët se çfarë do të thotë të jesh me aftësi të kufizuara dhe t’u tregojë atyre se ajo nuk ka nevojë për mëshirë.

Ajo tha: “Kur hapa fillimisht llogari në Instagram, postoja vetëm foto të qenit tim, por asnjëherë foto ku dukej karrigia ime.

“Më pas nisa të ndjek profilet e grave të tjera me aftësi të kufizuara fizike dhe u duk sikur u hapën të gjitha portat e botës së cilës i përkisja.

Për shkak të mungesës së prezantimit të njerëzve me aftësi të kufizuara në media, unë kurrë nuk kisha parë gra që dukeshin si unë, duke jetuar jetën plotësisht me aventura dhe seksi.

“Duke parë historitë dhe fotot e atyre grave, më ndihmoi të rris vetbesimin aq shumë, saqë edhe unë doja të shpërndaja fotot e mia.

“Çdo histori e njerëzve me aftësi të kufizuara është e ndryshme sepse ata janë njerëz të ndryshëm nga njëri tjetri.

“Për shkak se ne gjithnjë na portretizojnë si njerëz tragjik apo frymëzues, njerëzit kanë një koncept të gabuar dhe këndvështrim të kufizuar për njerëzit me aftësi të kufizuar.”