Shënon në minutën e 92-të dhe ia mohon play-offin ekipit të babait të vet (VIDEO)

Futbolli dhe familja u ndeshen në Venezeula, ku Gianluca Maldonado shënoi një gol në minutën e fundit të ndeshjes, i cili ia mohoi një vend në play-off ekipit të babait të tij.

Puerto Cabello, e udhëhequr nga Carlos Maldonado, po fitonte 2:1 ndaj Deportivo Tachira në ligën elitare venezuelase, por i biri i Carlos, Gianluca shënoi një gol të bukur në minutën e 92-të për ta barazuar rezultatin.

Por në vend se ta festonte golin dramatik, ai shpërtheu në vaj dhe i mbuloi sytë më fanellë.

Gianluca e gjeti veten në një situatë të pazakontë dhe nuk u duk aspak i lumtur pas shënimit të golit.

Në Primera Division të Venezuelës, tetë ekipet e para luajnë në play-off për titull.

Goli i Gianlucas nënkupton se ekipi i babait të tij nuk ia del të futet në play-off për një fije floku pasi mbetet në pozitën e nëntë në renditje.