Liverpooli pas fitores me Watfordin fundajvën që e lamë pas, arriti rekordin e pikëve pas 13 xhirove të zhvilluara në Premier Leauge, dhe për Shaqirin “The Reds” mund ta fitojnë titullin pas 28 viteve.
Edhe edicionin e kaluar Liverpooli tregoi futboll të bukur por faza defansive ishte pika e dobët e klubit nga Merseyside që e mbyllën sezonin në vendin e katërt.
Sidoqoftë këtë stinor “The Reds” janë përmirësuar ndjeshëm duke pësuar vetëm 5 gola ose 6 më pak se vitin e kaluar, ndërsa skuadra e Klopp vazhdon të jetë e pamposhtur dhe me vetëm dy pikë prapa liderit, Manchester Cityt.
Shaqiri nuk ka dyshime se Liverpooli ka gjithçka çfarë i nevojitet për të arritur triumfin e shumë pritur në Premier Leauge.
“Do të rivalizojmë deri në fund të sezonit. Nuk duhet ta shikojmë Cityn por vetëm vetën. Duhet të shkojmë ndeshje pas ndeshjes dhe të shohim në fund se ku kemi arritur. Ne jemi shumë të fortë në mbrojtje, edhe kur Joe Gomez nuk luan, aty është Lovren, lojtar shumë i mirë në ajër dhe që di të luajë futboll. Ne luajtëm shumë mirë kundër Watfordit në fazën defansive, është gjë e mirë të arrijmë rekordin e pikëve në historinë e Liverpoolit për shkak se ndikon në rritjen e vetbesimit”, u shpreh Shaqiri.
Xherdan Shaqiri ishte startues në sfidën me Watfordin, ndërsa u zëvendësua në minutën e 74-të nga James Milner. Sulmuesi nga Zhegra ka zhvilluar 12 paraqitje këtë sezon me Liverpoolin në të gjitha garat duke shënuar 2 gola në Premier Leauge.







