Shqiptarët e Luginës së Preshevës po vazhdojnë të diskriminohen nga Serbia. Shteti serb ka zgjedhur pasivizimin e adresave si një metodë administrative e spastrimit etnik.
Nevzad Lutfiu, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, në një intervistë për “Zërin” ka thënë se Serbia po e bën këtë vetëm mbi baza të përkatësisë etnike. Ai ka thënë se dy shqiptarëve të cilët kanë vendim të përhershëm të punës në Bujanoc shteti serb ua ka pasivizuar adresat.
“Ky është një ndër fenomenet më negative, i cili është duke ndodhur në Luginë të Preshevës ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Si rezultat i këtij fenomeni kanë arritur që shqiptarët t’i defaktorizojnë në komunën e Medvegjës.
Pra, edhe pse në zgjedhjet e fundit që u mbajtën më 17 dhjetor shqiptarët dolën pothuajse të gjithë për të votuar, edhe pse u maksimalizua vota, prapë rezultati na tregoi se janë defaktorizuar atje shqiptarët. Edhe ky është pastaj problemi që ky fenomen ka filluar dhe është duke u rritur në komunën e Bujanocit, një tendencë e hapur për spastrim etnik.
Po e përmend vetëm një nga pasivizimet e fundit që është jashtëzakonisht shqetësues.
Së fundmi i janë pasivizuar adresat një profesori të shkollës së mesme “Sezai Surroi”, i cili ka vendim të përhershëm të punës dhe gruas së tij, e cila është punëtore në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc dhe e cila po ashtu ka vendim të përhershëm të punës.
Për këtë rast dhe për rastet e tjera të pasivizimit në momentin kur qytetarët i dërgojnë vendimet e pasivizimeve, ne menjëherë i njoftojmë edhe OSBE-në, edhe Ambasadën e Amerikës. Duket një fenomen, një tendencë shumë e hapur për spastrim etnik. Dhe, siç e përmendët, jo vetëm me pronat, por do të ketë pastaj shumë problem për shumë çështje të tjera, sepse në momentin kur pasivizohen adresat, normalisht që ata qytetarë faktikisht në njëfarë mënyre sikur përjashtohen komplet nga jeta në këtë vend”, është shprehur Lutfiu për “Zërin”.
Tutje, ai ka thënë se për të gjitha problemet, por në veçanti për pasivizimin që Serbia po ua bën shqiptarëve, i ka njoftuar edhe ndërkombëtarët.
Lutfiu ka thënë se shpreson që këtë vit do të ketë lëvizje nga ndërkombëtarët në drejtim të Serbisë për sa i përket çështjes së shqiptarëve.
“Unë kam realizuar takime edhe me ambasadorin e OSBE-së në Beograd, edhe me ambasadorin Hill, edhe me ambasadorin e BE-së në Beograd, Gjermanisë, Zvicrës dhe normalisht me fakte i kemi njoftuar me të gjitha format e diskriminimit që Serbia ka ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Kemi përmendur që këtu diskriminimi ka prekur kufijtë e racizmit dhe kjo ndodh vetëm për një arsye, për shkak të përkatësisë etnike. Dhe ajo që mund të them është se sidomos Ambasada Amerikane dhe OSBE-ja janë jashtëzakonisht të interesuar të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës. OSBE-ja është angazhuar drejtpërdrejt në zbatimin e planit shtatëpikësh, i cili është miratuar në vitin 2013. Vetë e ka paguar një eksperte, e cila është marrë me zbërthimin e atij plani edhe pavarësisht që tashmë kemi një plan se si do të duhej që qeveritë ta respektonin, vetë e ka nënshkruar dhe përsëri nuk po e zbatojnë planin shtatëpikësh për integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore. Në bashkëbisedim që e kam pasur me ambasadorin Hill, e kam njoftuar dhe ta them të drejtën edhe ai ishte i njoftuar me një pjesë të madhe të ngjarjeve që ndodhin këtu. Bashkë me ambasadorin e OSBE-së e kanë takuar kryeministren Bërnabiq, ku i kanë kërkuar projekte konkrete për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe ne besojmë se nga janari i këtij viti, pra i vitit 2024, do të kemi disa lëvizje falë këtyre miqve tanë ndërkombëtarë. Por ne do të vazhdojmë t’i njoftojmë vazhdimisht për çdo gjë që ndodh në Luginë të Preshevës”, theksoi Lutfiu.
BONUS VIDEO: Jasharaj: Kurti dhe Nagavci vazhdojnë me inate, testi PISA nuk kërkon definicione dhe mësim përmendësh







