Kacafytja

Sarri i kërkon falje Mourinhos për incidentin me asistentin, portugezi e pranon

Mauricio Sarri i ka kërkuar falje Jose Mourinhos për incidentin që portugezi e pati me njërin prej asistentëve të menaxherit të Chelseat në ndeshjen dramatike që përfundoi 2 me 2.

Një asistent i Sarrit festoi para syve të Mourinhos që reagoi për këtë gjë. Sarri ka thënë se nuk e di çfarë ndodhi, por ka folur me Mourinhon të cilit i ka kërkuar falje, raporton BBC.

Momenti i përplasjes së Mourinhos me stafin e Chelseat

“Nuk e di çfarë ka ndodhur por kam folur me Jose Mourinhon. E kuptuam që ishim në kahe të gabuar të situatës. Kam folur me anëtarin e stafit tim dhe kemi sqaruar situatën”, ka thënë Sarri.

Mourinho pas ndeshjes ka thënë të jetë provokuar nga asistenti i Sarrit.

“Nuk ishte reagim i imi, ishte i asistentit të Sarrit. Nuk ishte i sjellshëm, por Sarri u përkujdes për situatën. Të dy më kërkuan falje. E pranova, për mua kjo ka përfunduar”, ka thënë Mourinho.