Trajneri italian

Sarri e pranon se Chelsea nuk mund të konkurrojë për titullin në Premier League

Maurizio Sarri i ka idetë e qarta dhe artikulon pa problem opinionin e tij mbi favoritët e titullit për këtë edicion të Premier Leagues.

“Ju e dini se si e mendoj. E kam thënë që në fillim se këtë sezon ka dy skuadra superiore ndaj gjithë të tjerave në Premier League. Edhe pse tashmë ka një shkëputje të Liverpoolit ndaj Cityt, jam i bindur se organika e Guardiolës do t’ia dalë sërish mbanë deri në fund. Në këtë mënyrë lufta për titull është qartësisht e kuptueshme se luhet mes Manchester City dhe Liverpoolit”, tha Sarri.

Kështu tekniku italian i Chelseat qëndron me këmbë në tokë dhe i vërtetë në objektivat e Chelseat për këtë sezon, pasi shpeshherë ambicia e madhe jashtë mundësive konkrete ndikon më negativisht në psikologji dhe ecuri. Sarri mendon se ky nuk është viti i Bluve të Londrës dhe e sheh të vështirë që deri në fund të kampionatit të mund të interferojë mes dy pretendentëve madhore. Sa i takon ankesave të shumta të Hazard, Sarri i bie shkurt.

“Nuk arrij ta kuptoj se cili është problemi me Hazard në rolin e ri që i kam caktuar. Ka shënuar tre gola dhe jam shumë i lumtur me punën që po bën”, deklaroi tekniku italian.

Por fakti qëndron se belgu 27-vjeçar, edhe pse duket se në prononcimin e tij të fundit kërkon të shuajë zërat e merkatos që e lidhin me një kalim te los blancos, që prej kohësh shfaqin interes të madh për të, ende nuk vendosur të firmosë rinovimin e kontratës me Chelsean duke lënë hapësira për spekulime.

“Sigurisht që nuk kam fuqinë e vendimmarrjes në vend të tij. Me Hazard mund të flas vetëm për çështje teknike, por sigurisht që duhet qartësuar e ardhmja nëse duam që të vijojmë ta programojmë atë dhe objektivat tanë”, tha Maurizio Sarri.