Feride Rushiti

Rushiti: Viktima të dhunës seksuale të luftës ishin edhe burrat

Javën e kaluar në vendin tonë është mbajtur Konferenca e parë ndërkombëtare mbi dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë ndaj djemve dhe burrave. Lidhur me organizimin e kësaj konference si dhe publikimin e librit “Zëra të padëgjuar” në magazinën “Info Plus” në RTK ka folur Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës.

Kjo është konferenca e parë e kësaj natyre, e cila u mbajt 24 vjet nga përfundimi i luftës, teksa qëllimi i saj sipas Rushitit ishte nxjerrja e dy këndvështrime për mënyrën se si e kanë përjetuar burrat dhe djemtë luftën në Kosovë.

“Në shoqërinë kosovare por edhe tradicionalisht në mbarë botën mendohet se gratë dhe vajzat janë pre e dhunës seksuale në konflikte dhe luftë siç ka ndodhur në Kosovë. Por, fatkeqësisht lufta nuk i kursen as burrat e as djemtë dhe për këtë arsye për t’i dhënë vëmendje të shtuar kësaj çështje ne organizuam konferencë ndërkombëtares përmes të cilës dëshironim të theksonim se edhe burrat dhe djemtë kanë qenë viktimë e krimit gjatë luftës”, ka theksuar Feride Rushiti.

Ajo tutje ka bërë të ditur se pjesë e kësaj konference krahas institucioneve vendore, kanë qenë edhe personalitete ndërkombëtare, si dhe organizata të shoqërisë civile, të cilat punojnë ngushtë me këtë grup shoqëror.

Konferenca e ka trajtuar këtë plagë të luftës përmes librit ‘Zëra të padëgjuara’ – rrëfime të burrave mbi tejkalimin e traumës të dhunës seksuale të luftës, që është bërë së bashku me forumin ZDF, e që sipas Rushitit ngërthen në vete 10 dëshmi rrëqethëse të burrave dhe djemve kosovarë që kanë qenë pre e dhunës seksuale gjatë luftës dhe të cilët vijojnë trajtimin në Qendrën Kosovare për Rehabilitim.

“Përmes këtij libri synojmë që popullatën kosovare ta zgjojmë nga letargjia e fjetur dhe ta kuptojë se pjesë e krimeve të luftës përtej grave dhe vajzave kanë qenë edhe burrat dhe djemtë, të cilët kanë qenë të pabarabartë për t’u mbrojtur në rrethana lufte”, ka shtuar Rushiti.

Ajo ka thënë se kjo temë nuk është e lehtë për të diskutuar në Kosovë, ngase shoqëria jonë i portretizon burrat si të fuqishëm dhe mbrojtës në raport me çfarëdo dhune, por sipas saj, në rrethana lufte jo vetëm gratë e vajzat por edhe burrat janë të pambrojtur për faktin se janë të pabarabartë në fushën e betejës.

“Për shkak të këtyre normave patriarkale që e pozicionojnë burrin si të fuqishëm, ka bërë që djemtë dhe burrat të mos flasin para familjes së tyre, të ndjehen të izoluar, të ndjehen të pafuqishëm, të kenë një identitet të ri shoqëror, shumë herë të mos e njohin veten si burrë e të zhburrnuar nga përvoja e turpit që e kanë përjetuar dhe si rezultat hezitojnë të shkojnë pranë organizatave profesionale për të marrë shërbime”, ka nënvizuar Rushiti.

Ajo ka thënë se numri i saktë i burrave dhe djemve si viktima të dhunës seksuale të luftës është vështirë të dihet për shkak të kulturës paragjykuese, të cilat i përjeton ky grup shoqëror. Megjithatë, sipas saj tani janë 84 burra që kanë fituar të drejtën si viktimë e dhunës seksuale të luftës në Komisionin qeveritar për njohjen e statusit dhe verifikimit të viktimave të dhunës seksuale.