Rrëfimi tronditës i ushtarit serb: Si e masakruan babain e Agim Çekut dhe si u vranë rreth 400 shqiptarë

Veprimtari Bardhyl Mahmuti e kishte botuar para pak vitesh romanin “Eskadronët e vdekjes”.

Shumë ushtarë serbë janë rrëfyer për gazetarin Mirosllav Filipoviq. Ata kanë treguar për masakrat e mizoritë e shumta që ka përjetuar populli i Kosovës nga ushtarët e paramilitarët serbë. Këto rrëfime, veprimtari i çështjes kombëtare Bardhyl Mahmuti i ka përmbledhur në këtë roman, të cilin e ka titulluar “Eskadronët e vdekjes”.

Demokracia.com para pak ditësh e ka publikuar një shkrim të gazetarit Mirosllav Filipoviq, gazetar i mediumit Danas, i cili kishte treguar si forcat serbe krijuan ekipe të caktuara për të sulmuar civilët serbë dhe për t’i fajësuar shqiptarët, respektivisht UÇK-në.

Rrëfimi i mëposhtëm i ushtarit serb është tronditës. Ai ka treguar në detaje se si u vranë rreth 400 shqiptarë dhe si u masakrua babai i ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çekut.

Gjatë operacioneve për shkatërrimin e forcave terroriste shqiptare, në fshatrat Lubeniq, Kralan, Staradran, Qyshk, Pavlan dhe Zahaq vramë rreth 400 shqiptarë. Në fshatin Qyshk, nënkoloneli Jordan Denkiq, që komandonte operacionet e Brigadës 125, i ndau në tri grupe burrat që duhej të vriteshin. Grupin e parë e futën në shtëpinë e Azem Gashit, grupin e dytë në shtëpinë e Demë Gashit, ndërsa grupin e tretë në oborrin e shtëpisë së Kadri Çekut. Pasi identifikuan Hasan Çekun, të atin e kolonel Agim Çekut, i cili kishte luftuar kundër nesh edhe në Kroaci përkrah ushtrisë kroate dhe tani drejtonte forcat terroriste në Kosovë, eskadronet e vdekjes me emrin “Shakali”, që përbëhej nga vullnetarë, e morën për krahësh atë burrë rreth të shtatëdhjetave, e futën në ahurin e lopëve, ia prenë kokën nga zverku dhe i vunë zjarrin stallës. Pasi u morëm të gjitha gjërat me vlerë, njerëzit që u përzgjodhën për atë botë, i vramë brenda shtëpive, u vumë zjarrin katundeve, ndërkaq gratë dhe fëmijët i vumë si bagëtinë përpara dhe u dhamë urdhër që të shporreshin në Shqipëri… Ishte e rëndë të dëgjoje ulërimën e femrave kur nxirreshin nga rreshtat e kolonave dhe, përskaj rrugës, përdhunoheshin nga ata që pak çaste më parë u kishin vrarë baballarët, vëllezërit, burrat… – lëshoi një ofshamë të madhe Stajko”.