Rooney do ta zhvillojë ndeshjen e lamtumirës nga kombëtarja e Anglisë ndaj SHBA-ve

Pas dy viteve pushim nga kombëtarja, Wayne Rooney do të rikthehet në ndeshjen miqësore të këtij muaji që Anglia e zhvillon ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ish kapiteni i “Tre Luanëve” për herë të fundit ka luajtur në nëntor të vitit 2016 në “Wembley, ndërsa ndaj SHBA-ve do ta zhvillojë paraqitjen e 120-të.

Kjo miqësore do të luhet me 15 nëntor kurse Rooney është futbollisti me më së shumti paraqitje në kombëtaren e Anglisë dhe në të njejtën kohë edhe golashënuesi më i mirë.

“Jam shumë i emocionuar dhe i përulur me mundësinë për të luajtur sërish me Anglinë në Wembley. Dua të falenderoj trajnerin Gareth Southgate dhe Federatën e Fubollit që më kanë ftuar. Të luaja për Anglinë ka qenë nderi më i madh në karrierën time, kështu që paraqitja e 120-të do të jetë një moment special. Përballja me SHBA-të është përshtatur mirë, shpresoj se të dyja tifozeritë të kënaqen me ndeshjen”, deklaroi Rooney.

Wayne Rooney në qershor të këtij viti iu bashkua DC Unitedit në MLS, të cilëve iu ndihmoi të kualifikoheshin për në fazën play off me 12 golat e tij në 21 paraqitje.