Ronaldo kthehet në Mr. 1+1, Juve kalon me lehtësi Frosinonen (VIDEO)

Juventus shkëlqen në nxehjen në prag të Atletico Madridit e vlefshme për 1/8-at e Champions League.

Bardhezinjtë kanë mposhtur 3-0 Frosinone-n e vendit të parafundit duke vijuar ecurinë pa asnjë humbje.

Ishte Paulo Dybala, i rikthyer në formacion, ai që kaloi të tijtë në avantazh që në fillim të takimit. Sulmuesi argjentinas, të tre golat e tij në Serie A i ka shënuar brenda 11 minutave të para.

Bonucci dyfishoi pak më pas teksa Cristiano Ronaldo, i cili kishte përgatitur golin e Dybala-s, ka shënuar golin e tretë pas pak më tepër se një ore lojë.

Kjo është ndeshja e tretë radhazi që sulmuesi portugez arrin të shënojë dhe asistojë, diçka që nuk e kishte bërë në 21 ndeshjet e mëparshme. Quajeni Mr. 1=1.

Me këtë rezultat Juve vazhdon të marshojë e vetme në krye të renditjes duke krijuar një avantazh prej 14 pikëve ndaj Napolit që ka një ndeshje më pak.