Ronaldo beson se Portugalia mund të kualifikohet në Botëror nëpërmjet plejofit

Cristiano Ronaldo dëshiron që Portugalia të rikthehet shpejt pas humbjes befasuese që e pengoi skuadrën e Fernando Santosit të sigurojë një vend në Kampionatin Botëror, që vitin e ardhshëm mbahet në Katar. Duke luajtur në shtëpi dhe duke pasur nevojë vetëm për një barazim për të arritur një vend në turneun në Katar, Portugalia pranoi gol në minutën e 90-të në humbjen 2-1 të së dielës mbrëma ndaj Serbisë dhe ra në pozitën e dytë në grup, që i garanton plejofin që do të mbahet vitin e ardhshëm. Një ditë pas humbjes nga Serbia, ka reaguar edhe kapiteni i Portugalisë, Ronaldo. Ai ka thënë se Portugalia do të kthehet fuqishëm dhe do ta sigurojë kualifikimin në botërorin “Katari 2022” nëpërmjet plejofit.

“Futbolli na ka treguar herë pas here se nganjëherë rrugët më të vështira janë ato që na çojnë në rezultatet më të dëshiruara”, shkroi Ronaldo në Instagram të hënën.

Sulmuesi 36-vjeçar mund të përballet me Botërorin e tij të fundit, pasi ka bërë katër paraqitje rresht me Portugalinë në këtë turne që nga viti 2006.

“Rezultati i djeshëm ishte i vështirë, por jo aq i ashpër për të na rrëzuar”, vazhdoi ai. “Qëllimi për të qenë në kupën e botës ‘Katari 2022’ është ende shumë i gjallë dhe ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë për të arritur atje. Nuk ka asnjë arsyetim. Portugalia është në rrugën e saj për në Katar”.

Portugalia dukej mirë në fillimin e ndeshjes kundër Serbisë në “Stadium of Light” në Lisbonë, duke kaluar në epërsi pas vetëm dy minutave nëpërmjet mesfushorit Renato Sanches. Por më pas pati telashe dhe lejoi mysafirët që fillimisht të barazojnë rezultatin me Dushan Tadiqin (33’), përpara se rezervisti Aleksandar Mitroviq të shënonte golin e fitores në fund të ndeshjes. Me këtë humbje, Portugalia mbeti e dyta në Grupin A kualifikues me 17 pikë të mbledhura, tri më pak se Serbia që e siguroi kualifikimin direkt në Botëror pas tetë ndeshjeve të luajtura. Ronaldo ishte i mërzitur pas golit të vonshëm të Serbisë, duke u ankuar dhe u bërtitur shokëve të tij nga mesfusha teksa priste që loja të rifillonte. Pas fishkëllimës së fundit, ai u ul vetë në fushë, duke tundur kokën dhe dukej i shkretë. Disa shokë dhe kundërshtarë shkuan për ta ngushëlluar Ronaldon. Portieri veteran Rui Patricio u fajësua për një gabim në golin e parë, kur ai nuk mundi ta mbante topin pasi gjuajtja e Tadiq devijoi nga një mbrojtës portugez.

Përzgjedhësi Fernando Santos ishte gjithashtu nën presion dhe dëgjoi disa thirrje për dorëheqjen e tij nga tifozët pas ndeshjes. Edhe të hënën, mediumet portugeze e kanë kërkuar largimin e Santosit.

“Jam i trishtuar dhe i frustruar, por ende kam besim te vetja dhe te lojtarët e mi”, tha Santos. “Rezultatet e fundit ishin negative, por nuk ka asnjë arsye që të mos kemi besim te vetja”.

Portugalia po vinte nga një barazim me Irlandën tashmë të eliminuar. U fut në xhiron e fundit të kualifikimeve me pikë të barabarta me Serbinë, por kishte avantazhin që të mund të kualifikohej me një barazim për shkak të goldallimit më të mirë.

“Të mjerë” dhe “Trupi i botës”, ishin disa nga titujt e gazetave portugeze të hënën. Portugalia do të duhet të përballet në plejof me nëntë nënkampionët e tjerë të grupeve dhe dy fituesit e grupeve nga Liga e Kombeve. Të 12 përfaqësueset do të luajnë marsin e ardhshëm të ndara në tri grupe me katër skuadra. Portugalia ka luajtur në çdo Kupë Bote që nga viti 2002, pasi nuk arriti të kualifikohej në këtë turne nga vitit 1990 deri në vitin 1998. Është eliminuar nga Uruguai në 1/8 e finales të Botërorit të fundit, i cili u mbajt në Rusi në vitin 2018.