Roma kërkon nga klubet tjera të ndihmojnë në gjetjen e fëmijëve të zhdukur

Roma pritet të nisë bisedimet me klubet e tjera nga Evropa për të rritur ndërgjegjësimin për fëmijët e zhdukur pas një fushate fillestare në rrjetet sociale.

Klubi italian i futbollit ka treguar video të fëmijëve të zhdukur kur prezantonte futbollistët e transferuar në dy afatet e fundit kalimtare dhe gjashtë fëmijë ishin gjetur.

Roma shpreson që do të marrë mbështetjen edhe të klubeve të tjera për Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve të Zhdukur, më 25 maj.

“Mendoj se do të përkrahet nga klubet e tjera”, ka thënë Chris Smalling, mbrojtës i Romës për iniciativën e klubit. “Kam menduar se është iniciativë e mrekullueshme, dhe për të qenë i sinqertë, duke e ditur popullaritetin dhe ndikimin që kishte pasur, jam i befasuar pse nuk ka ndodhur më herët. Por meritat i takojnë Romës, që është e para që nisi diçka të tillë”.

Klubet e Serisë A janë organizuar me 12 shoqata dhe organizata rreth botës për të shfaqur videot e fëmijëve të zhdukur, pasi i transferonte futbollistët. Tre fëmijë të gjetur ishin nga Londra, dy nga Kenia e një nga Belgjika. Një fëmijë kenian ishte gjetur përmes videos së transferimit të Smallingut, pasi iu bashkua Romës në formë huazimi nga Manchester Unitedi.

“Ishte moment shumë i madh për mua, dhe një gjë e mrekullueshme për familjen. Të qenit baba, të mos e dish se ku është fëmija juaj është ndër gjërat më të vështira me të cilat përballesh në jetë dhe këtë s’do t’ia dëshiroja askujt”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.

Zyrtari i Romës, Paul Rogers, ka thënë se kampanja ka marrë përkrahje nga fansat në gjithë Evropën. Dhe ai beson se me ndihmën e klubeve të tjera mund të gjenden edhe më shumë fëmijë të zhdukur.

“Ajo që Roma mund të bëjë e vetme nuk është as afër me atë që klubet mund të bëjnë nëse bashkohemi”, ka thënë ai për BBC Sport.

Ai ka shtuar se nuk pret që kur t’u ofrohen me propozim klubeve të tjera të refuzohen nga to.

“Kjo s’është për transferet apo Romën, është për fëmijët në gjithë botën që janë të zhdukur dhe që fuqia e klubeve në rrjete sociale mund të bëjë diçka për t’i kthyer në shtëpi”, ka shtuar ai.