Rikthehet Majlinda Kelmendi, pas më shumë se një viti pauzë

Xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi do ta bëjë rikthimin e saj në garat e xhudos këtë fundjavë, pas plot 14 muajve pauze të detyrueshme shkaku i lëndimit që e pësoi në Kampionatin Botëror 2017 në Budapest.

Fituesja e medaljes së artë historike në Lojërat Olimpike Rio 2016, do të garojë në Grand Slamin e xhudos Abu Dhabi, të Emirateve të Bashkuara Arabe, që mbahet prej 27 – 29 tetor. Në Abu Dhabi, Majlinda kishte fituar medaljen e artë në vitet 2011, 2012 dhe 2014, ndërsa në 2015 fitoi të bronztën.

Trajneri i Majlindës, Driton Kuka, është i lumtur që kampionia kosovare po kthehet në gara.

“Po, Majlinda do të kthehet këtë javë në gara, pas një pauze të gjatë. Sa i përket medaljes është pauzë e gjatë dhe nuk e di se si ka ndikuar”, ka thënë Kuka për “noc-kosovo.org”.

Krahas Majlindës, që garon në kategorinë -52 kilogramë në Abu Dhabi, që vlen për pikë Olimpike Tokyo 2020, Kosovën e përfaqësojnë edhe kampionia e Evropës në kategorinë deri 57 kilogramë, Nora Gjakova, Distria Krasniqi (-48 kg.) dhe Akil Gjakova (-73 kg.)

Majlinda, Nora dhe Distria do të garojnë të shtunën, ndërsa Akili të dielën.