Gjykata Themelore

Refuzohet kërkesëpadia e Avni Kastratit për anulimin e dekretit të Osmanit që e shkarkoi nga pozita e ambasadorit

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e Avni Kastratit, me të cilën ka kërkuar që të anulohet dekreti i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilin është liruar nga detyra e Ambasadorit/Shefit të Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në Republikën e Sllovenisë. Sipas gjykatës, dekreti i goditur me padi, është i drejtë dhe i bazuar në gjendjen e vërtetuar faktike e juridike.

Në vendimin e marrë më 13 shtator 2023, thuhet se gjykata vlerësoi ligjshmërinë e dekretit të goditur me padi, si dhe propozimin e paditësit për anulimin e atij dekreti, në përputhje me LKA-në dhe provat e administruara në seancën e shqyrtimit kryesor, dhe në lidhmëri me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe gjeti se kërkesëpadia e paditësit është e pabazuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Duke u bazuar në këto prova dhe në dispozitat e sipërcituara, gjykata vlerësoi se Dekreti i goditur me padi është i drejtë dhe i bazuar në gjendjen e vërtetuar faktike e juridike”, thuhet ne vendim.

Sipas Themelores, tërheqja e parakohshme e Kastratit nga Misioni Diplomatik, nuk ka krijuar asnjë pasojë juridike, në kuptim të marrëdhënies së punës.

“Gjykata po ashtu gjeti se paditësi ishte emëruar në detyrën e Ambasadorit sipas çelësit politik dhe se në rastin e paditësit lirimi nga detyra ka nënkuptuar tërheqjen e tij të parakohshme nga Misioni Diplomatik dhe rrjedhimisht nuk ka krijuar asnjë pasojë juridike në kuptim të marrëdhënies së punës për faktin që i njëjti nuk e ka gëzuar cilësinë e anëtarit në detyrë të Shërbimin Diplomatik të Kosovës, por të shefit të misionit diplomatik që është i emëruar politik”, thuhet në aktgjykimin e Themelores.

Gjykata e shkallës së parë, po ashtu vlerësoi se dekreti i Presidentes së Republikës së Kosovës, objekt shqyrtimi në këtë konflikt administrativ, për nga lloji, është i natyrës së veçantë dhe se në raste të tilla, nuk është e domosdoshme që dekreti të përmbajë këshillën juridike.

“Sidoqoftë, në rastin konkret, gjykata vërejti se paditësit, sipas Aktgjykimit Nr. AGJ 2101/22 të datës 06.01.2023 të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.Kl214/21 të parashtruesit A..K.. për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit ARJ.nr.84/2021 të 22 Shtatorit 2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës, i ishte dhënë mundësia që para kësaj Gjykate të kërkoj vlerësimin e ligjshmërisë së Dekretit të Presidentes së Republikës së Kosovës me numër 84/2021 i datës 19.05.2021, prandaj mungesa e Këshillës Juridike në aktin e kontestuar me këtë padi, nuk i ka mohuar paditësit të drejtën e tij që edhe Dekreti ti nënshtrohet vlerësimit të ligjshmërisë së tij nga ana e Gjykatës”, thuhet në vendim.

Në vendim, thuhet se gjykata erdhi në përfundim se paditësi nuk mund të pretendojë në përfitimin nga të drejtat por edhe detyrimet që kanë të bëjnë me anëtarët apo të punësuarit e Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, për faktin që paditësi hyn në kategorinë e diplomatëve të emëruar politikë.

“Në këtë drejtim, gjykata gjeti se duke u bazuar në natyrën e tillë të çështjes dhe duke marrë parasysh faktin që Presidentja e Republikës së Kosovës mbi bazën e pikës 10 të nenit 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, udhëheq me politikën e jashtme të vendit, ka ushtruar diskrecionin e saj në mënyrë të plotë, kur ka marr Dekretin e kontestuar me këtë padi”, thuhet në vendim.

Gjithnjë sipas vendimit të Themelores, gjykata hodhi poshtë pretendimet e paditësit me të cilat sipas paditësit: “është tentim për denigrimin e personalitetit dhe reputacionit të tij të krijuar për më shumë se gjysmë shekulli”, si pretendime jashtë juridiksionit të kësaj Gjykate.

“Prandaj Gjykata vlerësoi se në këtë çështje administrative, drejt është vërtetuar gjendja faktike, e paditura drejt ka zbatuar dispozitat e procedurës administrative dhe të ligjit material, kur ka marrë Dekretin e kontestuar nga paditësi”, thuhet në paragrafin e fundit të këtij vendimi.

Gjykata Kushtetuese më 13 janar 2023, konstatoi se ish-ambasadorit Avni Kastrati i është mohuar qasja në drejtësi pasi gjykatat e rregullta nuk e kishin trajtuar dekretin për shkarkimin e tij.

“Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se hedhja poshtë e padisë së parashtruesit të kërkesës si e palejuar, i kishte pamundësuar atij të drejtën për “qasje në drejtësi” në cenim të të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhej në njoftim.