Redi Jupi: Kosovarët na kanë forcuar, por s’janë më të fortë sesa ne

Analisti i futbollit, Redi Jupi, ishte njëri ndër të ftuarit në emisionin “Procesi Sportiv”, ku u diskutua për Kombëtaren e Kosovës dhe atë të Shqipërisë.

Redi Jupi beson se Shqipëria është përforcuar nga lojtarët dhe tifozët kosovarë, mirëpo ende beson se “Dardanët” nuk janë më të fortë sesa “Kuqezinjtë”.

“Deklaratat e mia shumë shpesh janë keqinterpretuar në Kosovë nga qarqe të ndryshme. Por e them edhe një herë, Shqipëria është forcuar prej kohës kur ka marrë futbollistë nga Kosova, që e nisëm me Hasin, Beqajn e Canën”, deklaroi Jupi.

“Pastaj, tifozët nga Kosova kanë ardhur dhe na kanë mësuar se si mbështetet Kombëtarja”.

“Futbollistët e Kosovës kanë bërë hapa shumë të rëndësishëm në karrierë. Muriqi kur ishte te Shqipëria ishte një lojtar normal, ndërsa tani për Kosovën dhe për ekipin e tij në Turqi është shumë i rëndësishëm”.

“Rashica po ashtu ka bërë ngritje të madhe dhe luan në nivele të larta, pra në Bundesligë”.

“Zeneli dhe Rrahmani nuk kanë qenë në këtë nivel. Pra, të gjithë lojtarët kanë bërë një ngritje të hovshme. Ngritja individuale dhe entuziazmi i Kosovës ka bërë që kjo skuadër të përparojë shumë”.

Përderisa Jupi beson se Milot Rashica është më i mirë sesa cilido lojtar në skuadrën e Shqipërisë, ai beson se me Arbër Zenelin mund të krahasohet Odise Roshi, ndërsa me Vedat Muriqin Armando Sadiku.

“Me Rashicën nuk krahasohet asnjëri, me Zenelin futet Roshi në garë”, shtoi Jupi.

“Me Muriqin ndoshta Sadiku dhe sulmuesit tjerë që kemi. Shqipëria nuk është më e dobët se Kosova, por ne nuk e kemi entuziazmin e tyre”.

Në nëntor të vitit të kaluar, Jupi kishte thënë se asnjë lojtar i Kosovës përveç Milot Rashicës nuk do të mund të luante për Shqipërinë, si dhe se Kosova nuk ka ekip më të mirë se Shqipëria, por po e merr maksimumin prej futbollistëve të saj.

“Kosova nuk ka ekip më të mirë se Shqipëria. Të jeni të bindur që Kosova nuk është aspak më e fortë se Shqipëria”, kishte thënë Jupi.

“Dallimi është se Kosova po iu merr maksimumin futbollistëve, ndërsa ne jo. Nga lojtarët e Kosovës vetëm një lojtar mund të luajë te Shqipëria, Milot Rashica, asnjë tjetër”.