Reçica: Mbi 6576 qytetarë janë ndërmjetësuar në punësim

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka folur për sukseset dhe sfidat që ka pasur kjo ministri në vitin 2018.

Ai ka thënë se viti që po lëmë pas për MPMS-në ishte me shumë punë dhe të arritura, por edhe me sfida. “Ndër sfidat me të cilat jemi përballur janë trajtimi jo i barabartë i personave me aftësi të kufizuar, shërbimet sociale e familjare pa financim të vazhdueshëm dhe pa ndarje të qartë të përgjegjësive institucionale, ka pasur sfida në fushën e marrëdhënies së punës, sigurisë dhe shëndetit në punë.

Gjithashtu, ka pasur sfida për menaxhimin e skemave pensionale të financuara nga shteti. MPMS-ja ka hartuar Projektligjin e Punës dhe Projektligjin për Pushimin e Lehonisë dhe Prindëror. Po ashtu, do të krijohet Fondi për Sigurime Sociale, i cili do të jetë i financuar nga punëmarrësit dhe punëdhënësit dhe i cili do ta financojë komplet shtyllën e parë të pensioneve dhe përfitimeve. Çështje të tjera të rëndësishme që do të trajtohen te reforma pensionale është edhe njohja e stazhit të punës të punëtorëve të viteve 1990-1999 si dhe do të zgjidhet çështja e pensioneve të dyfishta. Me qëllim të ngritjes së përgjithshme të mirëqenies sociale, gjatë vitit 2018 kemi rritur vlerën mujore të asistencës sociale për 20 për qind si dhe kemi marrë vendim për rritje të pagesës mujore të strehimit familjar për fëmijë pa përkujdesje, si dhe për fëmijë me aftësi të kufizuara”, ka thënë ai.

Ministri Reçica ka theksuar për gazetën Epoka e Re se objektiv i kësaj ministrie ka qenë fusha e punësimit, sidomos përkrahja e të rinjve për punësim. “Gjatë vitit 2018 kemi përfshirë në punësim mbi 11 000 punëkërkues. Mbi 6 576 qytetarë janë ndërmjetësuar në punësim dhe masa aktive të tregut të punës, ndërkaq rreth 4 957 punëkërkues janë aftësuar në qendrat e aftësimit profesional në nivel vendi. Janë funksionalizuar tri skema pensionale, pensioni invalidor i punës, pensioni familjar, pensioni për paraplegjikë dhe tetraplegjikë, si dhe ka nisur kompensimi i viktimave të dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë, ku deri më tani Komisioni Qeveritar për Verifikim dhe Njohje të Statusit të të dhunuarve gjatë luftës së fundit në Kosovë ka pranuar rreth 890 aplikacione dhe janë aprovuara rreth 173 sosh”, është shprehur Reçica, duke shtuar se me qëllim të realizimit të të drejtave në fushën e pensioneve për qytetarët të cilët kanë punuar jashtë vendit, në vitin 2018 është nënshkruar Marrëveshja për Sigurime Sociale me Mbretërinë e Belgjikës dhe me Konfederatën e Zvicrës, të dyja këto marrëveshje janë ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Inspektorati përgjatë vitit 2018 ka realizuar mbi 8 512 inspektime si dhe ka shqiptuar 251 gjoba. Do të hartohet Ligji për shërbime sociale dhe familjare, do të hartohen ligjet nga konceptdokumenti për reformën pensionale, Ligji për personat me aftësi të kufizuara, konceptdokumenti për skemën e ndihmës sociale, si dhe ndryshimi i ligjit për siguri dhe shëndet në punë”, ka thënë ministri Reçica, duke shtuar se viti lamë pas, për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka qenë vit i shoqëruar me shumë punë dhe të arritura, por edhe me sfida.

“Bazuar në nevojat imediate të adresimit të sfidave të lartpërmendura dhe bazuar në objektivat e Strategjisë Sektoriale të MPMS-së, në vitin 2018 kemi ndërmarrë reforma në pothuajse të gjitha fushat prandaj edhe e kemi shpallur vitin 2018 si vit të reformave. MPMS ka hartuar Projektligjin e Punës dhe Projektligjin për Pushimin e Lehonisë dhe Prindëror, të cilat janë projektligje që janë hartuar në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian dhe që synojnë të rregullojnë marrëdhëniet kontraktuale punëdhënës-punëmarrës, të avancojnë të drejtat e punëtorëve, të avancojnë të drejtat e nënave lehona dhe të përmirësojnë pozitën e gruas në tregun e punës, dhe shumë çështje tjera të rëndësishme sa i përket fushës së marrëdhënies së Punës. Projektligji i Punës është miratuar në Qeveri”, u shpreh ai
Tutje Reçica, ka thënë se me qëllim të trajtimit meritor të nënave lehonë, për herë të parë kanë dalë me propozim që të kompensohen edhe lehonat e papuna si dhe për herë të parë kemi propozuar pushimin prindëror, që do të jetë një e drejtë e garantuar edhe për nënën edhe për babain, deri në ditën kur fëmija mbush 2 vjeç.

“Duke marrë për bazë problemet që e shoqërojnë sistemin pensional në vend, si mungesa e një sistemi të sigurimeve sociale, mungesa e një ligji bazik që rregullon dhe menaxhon pensionet dhe beneficionet për të gjitha kategoritë, kemi ndërmarrë reformë të plotë të sistemit pensional, si në aspektin ligjor, ashtu edhe në ofrim të shërbimeve ku kemi hartuar Koncept Dokumentin për fushën e pensioneve dhe beneficioneve. Objektivat që i kemi vënë vetes para sa i përket reformës pensionale përkojnë me instalimin e Sistemit të Sigurimeve Sociale në vend, Hartimin e Projektligjit Unik për pensionet, hartimin e Projektligjit për Sigurime Sociale dhe Projektligjit për Fondin për Sigurime Sociale”.
Sipas tij, sistemi Pensional do të jetë i ndërtuar në 4 shtylla:

Shtylla 0- Pensioni i pleqërisë (sociale); pensioni kontributiv para vitit 1999; pensioni familjar para vitit 1999; pensioni për aftësinë e kufizuar; pensionet e kategorive të dala nga lufta; pensioni i TMK-së dhe kompensimi për lehonat e papuna, do të thotë, në shtyllën 0 bëjnë pjesë të gjitha pensionet dhe beneficionet që financohen nga buxheti i shtetit;

Shtylla e I- Pensioni i moshës (pensioni kontributiv); pensioni invalidor i punës; pensioni familjar; pensioni i parakohshëm; mbrojtja prindërore (pushimi i lehonisë për lehonat e punësuara); mbrojtja nga papunësia dhe shtesat për fëmijë, do të thotë, në shtyllën e parë bëjnë pjesë të gjitha pensionet të cilat financohen nga Fondi për Sigurime Sociale;

Shtylla e II- Trusti Pensional;
Shylla e III- Sigurimet ose përfitimet vullnetare;
“Do të krijohet Fondi për Sigurime Sociale i cili do të jetë i financuar nga punëmarrësit dhe punëdhënësit dhe i cili do të financojë komplet shtyllën e parë të pensioneve dhe beneficioneve”, u shpreh ai.