Real Madridi nuk lejon befasi ndaj Valencias, vazhdon garën për titull

Real Madridi ka shënuar fitore të re për të vazhduar garën për titull të kampionit në La Liga. Të enjten mbrëma Reali fitoi 3:0 ndaj Valencias, në ndeshjen e fundit të xhiros së 29-të.

Reali mbetet i dytit me 62 pikë, dy më pak se Barcelona që udhëheq. Valencia është e teta me 43 pikë.

Valencias iu anulua një gol në minutën e 21-të, ndërsa madrilenët fitoren e siguruan në pjesën e dytë. Karim Benzema realizoi në minutën e 61-të për 1:0. Francezi me atë gol i është bashkuar Di Stefanos, Raulit dhe Cristiano Ronaldos si lojtarët e vetëm që kanë shënuar të paktën 20 gola për Real Madridin në tetë edicione.

Për 2:0 shënoi Marco Asensio në minutën e 74-t. Sipas BBC, Asensio ka shënuar me prekjen e parë të topit në këtë edicion. Ai kishte lënduar gjurin verën e kaluar dhe ka munguar deri më tani. Është aktivizuar në vend të Federico Valverdes dhe ka realizuar gol të bukur, 31 sekonda pas aktivizimit.

Me paraqitje të mirë është dalluar edhe Eden Hazard, që filloi ngadalë te Reali. Ai asistoi në golin e parë të Benzemas.

Benzema shënoi supergol për 3:0 në minutën e 87-të. Kështu ai kaloi Ferenc Pushkashin dhe u bë golashënuesi i pestë më i mirë në histori të Realit me 243 gola.