Planet e Real Madrid në lidhje me flotën e portierëve janë të qarta për të ardhmen. Thibaut Courtois do të mbetet portieri i parë sezonin tjetër, pavarësisht se ka humbur një sezon të tërë për shkak të dy lëndimeve të ndryshme.

Këtë sezon, Andrij Lunin ka kaluar në hierarki Kepa Arrizabalaga dhe është bërë portieri i dytë. Ai ka fituar besimin e trajnerit Carlo Ancelotti dhe për këtë arsye, në planet e “los blancos”, përfshihet edhe rinovimi i kontratës së tij.

Për pasojë, portieri spanjoll Kepa, i ardhur me urgjencë në fund të verës i huazuar nga Chelsea pas dëmtimit të Courtois, nuk ka vend te Real Madrid. Pas disa ndeshjesh si titullar, ai nuk arriti të shkëlqejë në portë, duke u kthyer në zëvendësuesin e Lunin.

Kështu që, në verë Kepa do të largohet. Sipas gazetarit Fabrizio Romano, Kepa do të kthehet në Chelsea, por do të duhet të marrë një vendim për të ardhmen e tij. Edhe atje ai është i tepërt dhe nuk është e sigurt që do t’i lindë një përvojë tjetër. /Ballkani.info