Reagon FC Prishtina: Autoritetet e Gjibraltarit nuk lejuan zhvillimin e ndeshjes, presim vendimin e UEFA-s

Klubi i Prishtinës ka reaguar pasi ndeshje e Ligës së Evropës ndaj klubit Lincoln Red Imps nuk është zhvilluar.

Tetë lojtarë të Prishtinës kishin rezultuar pozitiv me COVID-19 pas testeve të kryera në Gjibraltar.

Sipas Prishtinës, kanë qenë autoritet vendore që nuk kanë lejuar zhvillimin e takimit edhe pse klubi ynë i plotësonte kushtet, pasi kishte lojtarë të mjaftushëm.

Më poshtë e keni reagimin e Prishtinës:

FC Prishtina, sipas rekomandimeve të UEFA-s ishte testuar paraprakisht tre dhe katër ditë para ndeshjes më 14 dhe 15 gusht. Të gjitha rezultatet e IKSHPK-së për 41 personat e ekspeditës të klubit kishin dal negativ me raport të plotësuar zyrtar.

Sipas rekomandimeve të UEFA-s, testi i ndeshjes duhet bërë 72 orë para fillimit të takimit dhe i njëjti është bërë në ambientet e aeroportit të Gjibraltarit me të mbërri skuadra dje, e hënë 17 gusht.

Pas më se 27 orëve, skuadra ka pranuar rezultat e laboratorit të licencuar nga UEFA “Synlab” me që rast kanë dal pozitiv 8 futbollistë.

FC Prishtina i kishte në dispozicion 14 futbollistë (pa dy portierët rezervë) dhe plotësonte kushtin e protokollit të UEFA-s që ndeshja mund të zhvillohet me 13+ futbollistë.

Por, autoritetet e alarmuara të Gjibraltarit nuk kanë lejuar një gjë të tillë deri sa klubi është i informuar nga delegati i ndeshjes.

Delegati i ndeshjes dhe vetë UEFA zyrtare nuk ka marrë asnjë vendim.

FC Prishtina, pas ndalesës nga autoritetet vendase ka lëshuar hotelin dhe ndodhet në ambientet e aeroportit të Gjibraltarit ku gjatë mbrëmjes do të fluturojë për në Prishtinë.

FC Prishtina është në pritje të vendimit nga UEFA.

FC Prishtina njofton se të gjitha kërkesat nga UEFA janë përfillë me përpikëri. Konsiderojmë, se sipas protokolleve të kërkuara nga UEFA, ndeshja është dashur të zhvillohet. FC Prishtina i ka bërë të ditur në komunikim direkt delegatit të UEFA-s, ndërsa shumë shpejtë do të informojë edhe zyrtarisht organit më të lartë të futbollit evropian.

FC Prishtina do të testojë sërish ekspeditën e saj pas rikthimit në kryeqendër dhe pasi që do të krahasojë rezultatet e testeve do të ngreh zërin deri në instancat më të larta të futbollit evropian.