Rashford e konsideron Arsenalin si njërën prej skuadrave më të forta në Premier League
Arsenali është përmirësuar ndjeshëm nën drejtimin e trajnerit të ri, Unay Emery, gjersa sulmuesi i Manchester Unitedit, Marcus Rashford i ka cilësuar “The Gunners” si njërën prej skuadrave më të forta në Premier League.
Londinezët paraqiten sonte në “Old Trafford” teksa i kanë fituar 3 ndeshjet e fundit mes Premier dhe Europa League.
Përballja e sontme do të rikthejë kujtime të veçanta për Rashford pasi që talenti anglez i pati shënuar golat e parë në Premier League pikërisht ndaj Arsenalit në shkurt të vitit 2016 në fitoren 3-2 të “Djajve të Kuq”.
Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ai takim, me Arsenalin që nuk di për humbje në 19 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet.
“Të luaj kundër Arsenalit në “Old Trafford” e ka një vend të veçantë për mua. Tani është një Arsenal tërësisht tjetër, ata po luajnë futboll më të mirë, janë më agresivë dhe janë një prej skuadrave më të forta në Premier League. Duhet t’i kemi parasysh të gjithë këto fakte dhe të synojmë tre pikët përballë tyre”, nënvizoi Rashford.
Manchester United po kalon nëpër një formë të dobët në 4 ndeshjet e fundit, derisa numëron vetëm një fitore, atë ndaj Young Boysit në Champions League, ndërsa në kampionat nuk fitojnë në 3 xhirot e fundit.