Mark Rutte

Raportet e shefit të ri të NATO-s me Kosovën

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, të mërkurën edhe zyrtarisht u emërua si Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Rutte do ta marrë detyrën e sekretarit të Përgjithshëm të aleancës më të madhe ushtarake nga 1 tetori 2024, kur i mbaron mandati shefit të tanishëm Jens Stoltenbergut.

Mark Rutte, nga liderët shtetërorë të Kosovës, u portretizua gjithmonë si një partner me të cilin mund të diskutohet për shumë çështje vitale për vendin – nga siguria e stabiliteti afatgjatë deri te avancimi i Kosovës drejt integrimeve euro-atltantike.

Kryeministri aktual i Holandës e vizitoi Kosovën në korrikun e vitit të kaluar, në kohën kur tensionet në mes të Kosovës dhe Serbisë ishin në kulmin e tyre, meqë kryetarët shqiptarë të komunave veriore ishin vendosur në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës pa një koordinim paraprak me komunitetin ndërkombëtar, gjë që përkeqësoi situatën e sigurisë në terren.

Ai gjatë qëndrimit në Kosovë kishte kërkuar nga autoritetet që të kontribuonin në uljen e tensioneve duke participuar në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Rutte, ndër të tjera, pas takimeve me Osmanin e Kurtit kishte vlerësuar raportet në mes të Kosovës dhe Holandës, duke potencuar nevojën e forcimit të mëtejshëm të këtyre raporteve.

“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit”, kishte shkrua ai në platformën sociale, X.

Ndërkohë Osmani, e kishte cilësuar takimin me Rutte si mundësi për të diskutuar “përpjekjet për forcimin e bashkëpunimit, avancimin në rrugën drejt BE-së dhe përkushtimin e përbashkët për paqen, sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në kontinent”.

Osmani, uroi Rutten për pozitën e re duke vlerësuar lidershipin e Ruttes, derisa theksoi se Kosova është e përkushtuar të anëtarësohet në aleancën ushtarake për paqe të qëndrueshme.

“Përgjatë viteve, ne kemi punuar së bashku për shumë çështje të rëndësishme dhe nuk kam dyshim se bashkëpunimi ynë i fortë do të vazhdojë derisa ai të marrë këtë përgjegjësi të re. Mezi pres të punojmë së bashku për të avancuar anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe të punojmë drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në të gjithë kontinentin tonë”, shkroi ai në X.

Në anën tjetër, Kurti kishte shprehur mirënjohje për mbështetjen e Holandës për “lirinë dhe pavarësinë” e Kosovës.

Ai kishte falënderuar Rutte për mbështetjen e vazhdueshme për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, për integrimin në Bashkimin Evropian.

Asokohe, Kurti kishte kërkuar nga Rutte edhe mbështetje që Kosova të bëhet pjesë e programit të NATO-s – Partneritetit për Paqe.

Rutte, 57 vjeç, është aleat i Ukrainës dhe kritik i ashpër i presidentit rus, Vladimir Putin.

Ai ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të ndihmës ushtarake evropiane për Ukrainën, prej se Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të saj në vitin 2022.

Për Franz Lothar Altman, ligjëruesin e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Bukureshtit, politika e Rutte-s në NATO do të jetë një kopje e asaj të Stoltenbergut.

Rutte, beson Altamn, gjatë udhëheqjes së Aleancës Veri-Atlantike, do të “mbështesë fuqishëm Ukrainën” duke monitoruar gjithashtu nga afër “përpjekjet e Rusisë për të dobësuar lidhjet që BE-ja dhe NATO-ja kanë në Ballkan, veçanërisht në Serbi dhe Republikën Srpska”.

“Diku në mendjen e tij do të ketë kujtime të këqija nga mosreagimi skandaloz i kontingjentit holandez në Srebrenicë, kështu që ka mundësi që ai t’i kushtojë më shumë vëmendje Ballkanit dhe të përpiqet për një angazhim më të madh të NATO-s në këtë rajon”, thotë Altmann, në një intervistë për mediumin European Western Ballkans.

Megjithatë ai beson se gjatë mandatit të tij nuk do të ketë zgjerim të Aleancës në Ballkanin Perëndimor, meqë sipas tij, holandezët ashtu sikur francezët “nuk janë përkrahës të zgjerimit të BE-së apo NATO-s”.