Protesta në Tiranë

Rama pret që dosjen e 21 janarit ta marrë në dorë SPAK

Pas një vendimi të Gjykatës së Strasbourg-ut vitin e shkuar, lidhur me çështjen e 21 janarit, duke e etiketuar ngjarjen jo vetëm të pazbardhur, por edhe vrasje të qëllimshme, kryeministri shqiptar, Edi Rama, pret që dosjen ta marrë në dorë Pokuroria e Posaçme SPAK.

Kështu ka deklaruar ai gjatë një përkujtimoreje të zhvilluar në 13-vjetorin e 21 janarit, ditë kjo kur katër protestues u vranë në bulevardin kryesor të Tiranës, gjatë një proteste përballë Kryeministrisë, në kohën që Sali Berisha ka qenë kreu i Qeverisë në vend.

Sipas Ramës, ky përvjetor është i veçantë pasi nuk karakterizohet vetëm nga shpresa, por edhe nga drita në fund të tunelit, që Strasbourgu dha për këtë çështje.

Më 27 shkurt, pritet që Gjykata e Larta ta marrë vendimin për t’ia kaluar apo jo SPAK-ut dosjen voluminoze të 21 janarit.

Teksa, Gjykatën e Tiranës, në të cilën kjo çështje është gjykuar më parë, kryeministri e ka quajtur “pa shtyllë kurrizore” dhe si pjesë të drejtësisë së vjetër.

Por, për Ramën, ashtu si edhe për familjarët e viktimave të 21 janarit, drejtësia dhe përgjegjësit kryesorë të ngjarjes do të mbahen përgjegjës, duke vendosur kështu drejtësinë në vend më në fund.

Në mbyllje të fjalës, Rama e përsëriti sërish një mesazh, në lidhje me vonesat që sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka sjellë.

“Ky është një nga rastet kur drejtësia nuk vjen dot kurrë shpejt. Por nuk harron kurrsesi që të vijë”, përfundoi ai.

Më tej, së bashku me familjarët e viktimave, ashtu si çdo vit, përfaqësues të Partisë Socialiste dhe Qeverisë përkujtuan viktimat, duke vendosur lule në katër pllakat e bronzta të vendosura në bulevard në pikat ku Aleks Nika, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedaj, u qëlluan teksa protestonin.

Por, pse ka rëndësi vendimi i Strasbourgut dhe çfarë thotë ai?
Të martë të 14 nëntorit, Gjykata e Strasburgut ka dhënë vendimin për Aleks Nikën, i cili mbeti i vrarë në protestën e 21 janarit 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Kështu, Gjykata ka dalë në përfundimin se ka dy shkelje themelore në këtë çështje.

E para është vrasja dhe më pas moszbardhja e vrasjes. Pra shteti e ka vrarë dhe nuk e ka zbardhur ngjarjen.

“Çështja ka të bëjë me pretendimet për një shkelje procedurale të nenit 2 të Konventës në lidhje me vdekjen e të afërmit të kërkuesve, A.N., nga një plagë vdekjeprurëse me armë zjarri në kokë që ai mori nga agjentë të shtetit në një protestë më 21 janar 2011”.

Gjykata thotë se pati moskryerje të një hetimi efektiv nga autoritetet, që mund të çonte në identifikimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve për ngjarjet dhe zbulimin e së vërtetës.

Jo vetëm kaq.

Për Strasburgun pati mangësi të përgjithshme në fazat e hershme të hetimit.

“Mbrojtja e zyrës së Kryeministrit, në rrethanat, jo në vetvete baza legjitime për përdorimin e forcës vdekjeprurëse. Neni 2 nuk lejon përdorimin e forcës vdekjeprurëse për mbrojtjen e pronës si të tillë”.

Aleks Nika mbeti i vrarë në protestën e 21 janarit 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bashkë me tre protestues të tjerë.

Familjarët e tij dërguan padi në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Çfarë ndodhi më 21 janar?
Më 21 janar 2011, qytetarë të thirrur nga Partia Socialiste protestuan para Kryeministrisë.

Protesta po zhvillohej kundër korrupsionit, pas skandalit me videon Meta-Prifti ku flitej për një koncesion.

Asokohe, Garda e Republikës, nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, hapi zjarr ndaj protestuesve, duke vrarë katër njerëz dhe plagosur gjashtë të tjerë.

Gjykata, më herët vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe për këto dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me tre vite.

Familja e Aleks Nikës, më herët njoftoi se, ka dërguar çështjen në Strasburg, me shpresën se Gjykata Evropiane do të japë drejtësi.

Rihapja e dosjes

Ka qenë policia e Tiranës, e cila më 21 janar 2021, në 10-vjetorin e ngjarjes, ka kërkuar rihapjen e hetimeve për çështjen e “21 janarit”.

Kjo nëpërmjet një letër-kërkese drejtuar Prokurorisë.

Në letër u kërkua ri-ekspertim hetimor për caktimin e drejtimit të qitjes gjatë vrasjes së Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, si dhe plagosjen e Fatos Mahmutajt, Sokrat Godes, Erald Boshas, Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papas.

Gjithashtu, aty shkruhet se duhet ri-ekspertim i plumbit të gjetur në trupin e Aleks Nikës dhe të ripyeten personat që kanë dijeni kryesisht ish-efektivë dhe efektivë të gardës që ishin në shërbim më 21 janar.