Radhë të gjata para ambasadave për një vizë, thonë se ikin nga papunësia dhe humbja e shpresës

Dera e qendrës për aplikim për vizë të Kroacisë në Prishtinë, të mërkurën është bllokuar nga numri i madh i kosovarëve, shumica prej tyre të rinj në moshë.

Kjo është pamja që merr rruga e cila të çon në lagjen “Velani” të kryeqytetit, ku shumë të rinj nga i gjithë vendi, pothuajse çdo ditë, nga e hëna deri të premten, vijnë dhe presin në radhë të gjata dhe me orë të tëra për të aplikuar për vizë pune, raporton KTV.

Këto pritje të gjata tregojnë më së miri rritjen e trendit të ikjes së të rinjve nga Kosova.

Ata që po aplikojnë për vizë, thonë se mungesa e vendeve të punës dhe humbja e shpresës, janë arsyet kryesore që po i shtyjnë ta braktisin vendlindjen e tyre për të kërkuar një jetë më të mirë.

Në këtë lokacion aplikohet për disa shtete, kryesisht ato të Skandinavisë, por Kroacia është shteti për të cilin kanë shprehur interesim më të madh të rinjtë, për të shkuar dhe punuar, për shkak të procedurave më të lehta.

Kosovës po i ikin edhe kuadro të kualifikuara.

Por, pavarësisht kësaj, ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte mohuar se të rinjtë po e lënë Kosovën.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka kërkuar nga të rinjtë që mos ta braktisin vendin e tyre.

Kosova është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që ende nuk mund të lëvizë pa viza, derisa shumë qytetarë vazhdojnë të pajisen me viza pune të Gjermanisë.