Qytetarët e Maqedonisë së Veriut jotolerantë ndaj dallimeve kulturore dhe të tjera

Hulumtimi që ka realizuar Qendra për Bashkëpunim Ndërkombëtar MCMS, ka nxjerrë në pah nivelin e ulët të tolerancës së qytetarëve të Maqedonisë së Veriut ndaj grupeve që janë më ndryshe.

Ky hulumtim tregon se mbi 50 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut nuk dëshirojnë që fqinji i tyre të jetë me përkatësi etnike rome.

Po 50 për qind e qytetarëve nuk pranojnë që në fqinjësi të kenë migrantë, persona me nevoja të veçanta ose pjesëtarë të grupeve tjera kulturore.

Mbi 90 për qind e qytetarëve janë shprehur se nuk dëshirojnë të jetojnë në fqinjësi me personat që janë të varur nga alkooli, përderisa mbi 80 për qind e qytetarëve thonë se nuk duan të kenë fqinj pjesëtarë të LGBT-së.

Për qytetarët e Maqedonisë së Veriut më pak problem paraqet fakti që të jetojnë në afërsi me persona të përkatësisë së ndryshme fetare apo politike, ose fqinjët të jetojnë në çift pa u kurorëzuar.

Mendoj se toleranca ndaj romëve është edhe më e ulët nga ajo që ka nxjerrë hulumtimi…”
Xhuliano Ferid, 34 vjeç, thotë për Radion Evropa e Lirë se në kurrizin e tij jo rrallë ka ndier mungesën e tolerancës.

Xhuliano tregon se në vende të caktuara kur qarkullon si i vetëm, nuk ndihet i margjinalizuar, por zakonisht kur del me familje, atëherë lindin shumë paragjykimet për faktin se familja e tij përbëhet nga 6 fëmijë.

“Një shtet që pretendon anëtarësimin në Bashkimin Evropian është turp të flasë për mungesë tolerance ndaj atyre që janë më ndryshe. Kur kam hyrë në restorant dhe kam kërkuar një tavolinë për 8 persona më ka ndodhur të më thonë se s‘ka një të tillë, ose të kërkojnë një vend kudo të jem me familjen time sa më pak të dukshëm. Kamerieri mbase me zë të ulët, por qartë më është drejtuar të ulem me familjen në qoshe që të mos i shqetësojmë të tjerët”.

“Mendoj se toleranca ndaj romëve është edhe më e ulët nga ajo që ka nxjerrë hulumtimi pasi për romët është shumë e vështirë gjetja e një banese jashtë vendeve ku kjo përkatësi etnike nuk e përbën shumicën”, thotë Xhualiano, duke rikujtuar faktin se në disa pishina të qytetit vite më herët, u ndalohej hyrja fëmijëve të komunitetit rom.

Nga ana tjetër, Bashkimi A. thotë se fqinjët dhe kolegët e tij posa kanë kuptuar se ka probleme me varësinë nga alkooli, e kanë ndërprerë komunikimin me të.

“Në fillim komunikimi filloi të tkurrej, pra me të mësuar problemin tim mezi më përshëndesnin, edhe fqinjët, edhe kolegët e zyrës. Tani qartazi shmangin dhe përshëndetjen pasi nuk e di, mendojnë se problemi im është ngjitës, apo kanë frikë mos i identifikojnë me problemin tim vetëm pse më përshëndesin”, thotë Bashkimi, i cili tashmë si administrator punon zakonisht në turnin e dytë ku kontaktet me kolegët i ka më të pakta.

Mungesa e tolerancës vjen nga paragjykimet, të cilat ndërtohen në ambientin familjar”.

Sociologët thonë se mungesa e tolerancës në shoqërinë maqedonase ndaj grupeve të caktuara , flet për dobësitë në sistemin edukativo-arsimor, si dhe paragjykimet që kultivohen te pjesa më e madhe e qytetarëve që brenda familjes.

“Mungesa e tolerancës vjen nga paragjykimet, të cilat ndërtohen në ambientin familjar dhe ato përforcohen më pas nga ndikimi i mediave, së fundmi nga ndikimi i rrjeteve sociale. Mungesa e tolerancës është si rrjedhojë edhe nga vokabulari që përdorin personat e rëndësishëm, të cilët shprehin një formë të agresivitetit shprehës gjatë qëndrimeve të tyre”, thotë Ali Pajaziti ligjërues i Sociologjisë në Universitetin e Evropës juglindore në Tetovë.

…synohet që personat më ndryshe të mos i vërejmë, qofshin ata pjesëtarë të një përkatësie etnike si romët, apo personat e varur nga alkooli apo me orientim seksual ndryshe”.
Nga ana tjetër, Ilia Acevski, profesor universitar, thotë se kriza që prek shumë segmente të shoqërisë, është fajtore për nivelin e ulet të tolerancës.

“Shoqëria maqedonase është zhytur thellë në atë ambalazhin e uniformimit. Është krijuar perceptimi se duhet mbrojtur nga çdo gjë që është më ndryshe. Mbrojtja shihet përmes shkëputjes së komunikimit, madje aq sa është e mundur synohet që personat më ndryshe të mos i vërejmë, qofshin ata pjesëtarë të një përkatësie etnike si romët, apo personat e varur nga alkooli apo me një orientim seksual ndryshe, pavarësisht e theksoj se ata janë pjesë e shoqërisë sonë”, thotë ai.

Në anketën e MCMS-së, të anketuarit janë pyetur edhe për arsyetimin e disa dukurive për të cilat përveç kufizimeve ligjore, ekzistojnë edhe norma morale në shoqëri.

Kjo anketë tregon se 81 deri 91 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut nuk e justifikojnë prostitucionin, vetëvrasjen, abortin apo divorcin./rel