Pushuesit kosovarë në Shëngjin formojnë “litar” për të nxjerrë nga uji nëntë persona VIDEO

Një numër i pushuesve kosovarë në Shëngjin në Shqipëri janë bërë bashkë duke formuar një “litar” për të nxjerrë nga uji nëntë pushues që nuk po mund të dilnin për shkak dallgëve.

Infermieri kosovar Fitim Havolli ka postuar në Facebook pamjen e organizimit dhe të nxjerrjes nga uji të pushuesve. Ai ka treguar se si janë organizuar me shpejtësi, meqë kanë parë se 9 veta po rrezikonin të humbnin jetën.

“Fal Zotit dhe organizimit dorë më dorë dhe me litarë nga gjithë pushuesit, arritëm t’i nxjerrim të gjallë nëntë pushuesit, që rrezikonin të humbnin jetën. Ishte një moment i hidhur, por edhe i gëzueshëm kur dolën të gjithë. Moment ky tregon se kur jemi të bashkuar dhe kemi qëllim të mirë, gjithmonë dalim fitues. Jam shumë i lumtur që bashkë me disa shokë bëmë një organizim të tillë për qëllime humane, megjithëse ishte pak me rrezik”, ka shkruar Havolli në Facebook.