Propozimi për konferencë ndërkombëtare, analistët: Ide e mirë, por duhet të jetë vetëm për zbatimin e marrëveshjes bazike dhe aneksit të Ohrit

Ditë më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një konferencë për media me përfaqësuesin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell ka dhënë idenë për një konferencë ndërkombëtare mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me qëllim shtensionimin e situatës në veri të vendit. Rama po ashtu kishte deklaruar që “ata të mos lejohen të dalin pa arritur një marrëveshje”. 

Idenë për një konferencë ndërkombëtare e ka mbështetur edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e kjo sipas tij me qëllim uljen e tensioneve mes tyre.

Këtë ide njohësit e politikës në vend e kanë cilësuar si të mirë dhe funksionale.

Analisti, Gazmir Raci në një prononcim për Telegrafin ka thënë se e ka përshëndetur këtë ide të Ramës.

Gazmir Raci, analist

Por, siç u shpreh Raci ajo duhet të jetë vetëm për zbatimin e marrëveshjes bazike.

“Është ide interesante të cilën e kam përshëndetur, por ajo duhet të jetë vetëm për zbatimin e marrëveshjes bazike dhe aneksit të Ohrit, e jo për çështjen e pjesës veriore të Republikës së Kosovës”, ka thënë Raci.

Ai po ashtu theksoi se kërkohet nga Gjermania dhe Franca si dy propozues të planit franko-gjerman dhe aneksit, të marrin rolin e tyre drejtues për të dal nga kjo situatë.

“Veriu vazhdon të sfidohet nga grupet kriminale të cilave ka filluar t’u humbas kontrolli nga ato komuna për shkak të luftës së pakompromis të Policisë së Kosovës kundër krimit të organizuar. Pa rend e ligj atje s’mund të flasim për shoqëri të lirë e demokratike ku do të mund të organizoheshin edhe zgjedhjet e lira”, vlerësoi Raci.

Edhe njohësi i proceseve politike, Arton Demhasaj në një deklaratë për Telegrafin tha se ideja e kryeministrit Rama është e mirë dhe do të funksiononte.

Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”

“E para mendoj që kjo është ide është përfolur në Kosovë, e kemi dëgjuar Ramush Haradinajn që e ka dhënë këtë ide që kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë me i mbyllë në një konferencë deri sa të arrijnë një marrëveshje për të dal nga kjo situatë. E këtë tash e ka proklamu edhe kryeministri Rama. Mendoj që nuk është ide e keqe, për faktin se po shohim në masë të madhe të kërkesave që po vijnë nga ndërkombëtarët dhe mënyra se si po përgjigjet Qeveria e Kosovës.

Mendoj që kjo do të funksiononte, pra kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq të hyjnë në një sallë, bashkë me përfaqësuesit dhe partnerët tanë ndërkombëtarë dhe të mos lejohen të dalin nga aty derisa të gjejnë një zgjidhje edhe për zgjedhjet e reja në veri, për shtensionim dhe për zbatim të dy marrëveshjeve të fundit…”, tha Demhasaj.

Por, ajo çka i duket e çuditshme Demhasajt është mënyra se si deri më sot po funksionon kryeministri i vendit.

“Shumë e çuditshme se si po funksionin kryeministri Kurti, ai asnjëherë nuk jep një ide i pari se si me gjet një zgjidhje, por gjithmonë kur dikush tjetër jep një zgjidhje ose i jep disa kërkesa se si me dal nga situata ai pastaj përgjigjet me kundër kërkesat e tij. Tash edhe me këtë ide të kryeministrit Rama, me siguri ka me dal me një kundër ide tjetër, por vështirë që ai ka me e pranu këtë ide duke e ditur që kjo ka ardhur nga Rama. Mendoj që ideja është e mirë, duke e ditur që Shqipëria është pjesë anëtare e NATO-s dhe Qeveria e Kosovës ish dasht me marr parasysh kërkesat që vijnë nga Qeveria e Shqipërisë, kryeministri Rama dhe nuk mendoj që diçka nga ai do të propozohej që do të shkonte në dëm të Kosovës”, ka thënë Demhasaj.

Ndryshe, ditë më parë në një konferencë të përbashkët për media, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe shefi i diplomacisë së BE, Josep Borrell shprehën edhe njëherë rëndësinë e shtensionimit të situatës në veri të Kosovës dhe domosdoshmërinë e rinisjes së dialogut Prishtinë-Beograd.

Rama tha se ka ardhur koha për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës dhe se Shqipëria është e angazhuar që të punojë me BE në mënyrë që situata në Kosovë mos të ndikojë negativisht tek rajoni.