Sarajevë

Prokuroria do të hetojë pretendimet se Kroacia ka rekrutuar myslimanë selafi në Bosnje

Prokurorët në Bosnje dhe Hercegovinë do të hetojnë pretendimet e publikuara nga mediat se intelegjenca dhe diplomatët kroatë janë përpjekur të armatosin islamistët Selafi, bëri të ditur zyra e kryeprokurorit të Bosnjës, raporton Reuters.

Faqja online e lajmeve “Zhurnal” raportoi të mërkurën se oficerët kroatë të intelegjencës janë përpjekur të rekrutojnë përkrahësit e degës Selafi për të kontrabanduar armë në xhamitë e tyre në Bosnje.

Kroacia ka mohuar këto pretendime.

“Prokurori në departamentin për krim të organizuar, krime ekonomike dhe korrupsion do të ndërmarrë aktivitete urgjente për të përcaktuar të gjitha rrethanat lidhur me pretendimet e mediave për rekrutimin e anëtarëve lëvizjes Selafi për kontrabandë të armëve në Bosnjë” thuhet në komunikatën e zyrës së kryeprokurorit.

Agjencia e Sigurisë dhe e Inteligjencës e Kroacisë i hodhi poshtë akuzat duke i quajtur “gënjeshtra dhe me qëllime të këqia”.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, tha se këto pretendime janë të “pakuptimta”.

“Unë i hedh poshtë plotësisht ato”, tha kryeministri Plenkoviq para gazetarëve në qytetin Neum të Bosnjës.

Faqja online e lajmeve “Zhurnal” raportoi po ashtu se një zyrtar i qeverisë së Bosnjës dhe një gazetar i lidhur me një diplomat kroat që shërben në Bosnje janë të përfshirë gjithashtu në këtë rast.

Ministri i Sigurisë në Bosnje, Dragan Mektiq tha për portalin Factor.ba se agjencitë e sigurimit të Bosnjës kishin parandaluar operacionin, i cili kishte për qëllim të dëshmonte akuzat e presidentës së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq për rrezikun nga “mijëra luftëtarë që ktheheshin në Bosnjë nga Siria dhe Iraku”.

Ministri Mektiq ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur akuzat e presidentes kroate, Grabar-Kitaroviq dhe të disa liderëve tjerë evropianë se myslimanët radikalë boshnjakë përbëjnë kërcënim terrorist për Evropën.

Myslimanët boshnjakë në përgjithësi praktikojnë një formë të moderuar të Islamit, por disa prej tyre kanë adoptuar islamin radikal Selafi nga luftëtarët e huaj që erdhën në vend gjatë luftës së viteve 1992-1995 për të luftuar përkrah myslimanëve kundër serbëve ortodoksë dhe kroatëve katolikë.

Prokuroria tha se do të pyes ministrin Mektiq për akuzat që kishte bërë dhe të cilat nuk ishte raportuar.

Ministri Mektiq nuk ka qenë në dispozicion për të bërë komentet e tij.