Bon Vivant 2

Prokuroria dhe Gjykata ia huqin kompetencës në lëndën “Bon Vivant 2”, po trajtohet gabimisht në departament tjetër

Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë, pa pasur kompetencë lëndore për trajtimin e rastit të vrasjes më 4 gusht 2023 në lokalin “Bon Vivant” ku i akuzuar është Andi Pajaziti, po e trajtojnë rastin në fjalë.

I akuzuari Pajaziti po ngarkohet me aktakuzë për shkak të vrasjes në lokalin “Bon Vivant”, ku nga të shtënat me armë zjarri kishte mbetur i vrarë K.R, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me aktakuzën ndaj të akuzuarit Pajaziti, Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht gjyqtari Avni Syla ka caktuar datën për mbajtjen e shqyrtimit fillestar. Syla është gjyqtar në Departamentin për Krime të Rënda dhe i njëjti i gjykon lëndët që bien në kompetencë të këtij Departamenti.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzën ndaj Pajazitit për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” dhe atë të “Armëmbajtjes pa leje”.

Për këto dy vepra penale, Prokuroria aktakuzën e ka deponuar pranë Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e që aktakuzë e ngritur pranë këtij Departamenti del të jetë përpiluar nga prokurorja Bukurije Gjonbalaj.

Ndërkaq, Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK) në kapitullin që flet për kompetencën lëndore, në nenin 21 sqaron se veprat penale të dënueshme me mbi 10 vite burgim apo veprat penale të parapara sipas nenit 22, gjykohen nga Departamenti për Krime të Rënda.

“Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore zhvillon dhe çështjen e gjykon në çfarëdo procedure penale ku prokurori i shtetit pretendon apo ka ngritur akuzë për një ose më shumë vepra të mundshme penale për të cilat është paraparë dënim me burgim mbi dhjetë (10) vjet si dhe veprat penale që konsiderohen krime të rënda sipas nenit 22 të këtij Kodi”, përcaktohet në nenin 21 paragrafi 4.

Në rastin konkret, vepra penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” apo edhe ajo e “Armëmbajtjes pa leje” del se nuk janë të dënueshme mbi 10 vite burgim dhe as si vepër që parashihen të gjykohen nga Departamenti për Krime të Rënda sipas nenit 22 të Kodit.

Nëse i referohemi dispozitave të Kodit përkatës, Prokuroria dhe Gjykata ia kanë “huqur” kur e kanë trajtuar këtë rast në Departamentin për Krime të Rënda, ngase do duhej të trajtohej në Departamentin e Përgjithshëm.

“Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje në Prokurorinë Themelore në Prishtinë se pse aktakuza ndaj Pajazitit është proceduar pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, si dhe pse Prokuroria ka trajtuar aktakuzën pranë Departamentit për Krime të Rënda e jo në Departamentin e Përgjithshëm.

Por, në përgjigjen e tyre thuhet se rasti është trajtuar fillimisht në drejtim të veprës penale “Vrasje” dhe se pas hetimeve është ardhur në përfundim se qëndron vepra penale “Vrasja e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore”, por duke mos sqaruar pse aktakuza është dorëzuar pranë Departamentit për Krime të Rënda.

Po ashtu, “Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë për të kuptuar mbi cilën bazë ligjore është caktuar mbajtja e shqyrtimit fillestar për këtë aktakuzë pranë Departamentit për Krime të Rënda. Por, deri në publikimin e këtij artikulli, gjykata nuk ka dhënë përgjigje për pyetjet e parashtruara.

Ndryshe Prokuroria Themelore në Prishtinë më 21 qershor 2024 kishte ngritur aktakuzë ndaj Andi Pajazitit për shkak të vrasjes së ndodhur në lokalin “Bon Vivant”, ku i vrarë kishte mbetur K.R. Pajaziti ngarkohet për veprat penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” sipas nenit 174 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe atë të “Armëmbajtës pa leje” sipas nenit 366, paragrafi 1 të KPRK-së. Detajet nga aktakuza mund t’i gjeni: KËTU. /BetimipërDrejtësi