Profesori Less e “këshillon” Kurtin: Humbja e mbështetjes së ShBA-së, është katastrofale për Kosovën

Profesori i Qendrës për Gjeopolitikë të Universitetit të Kembrixhit, Timothy Less, që është edhe njohës i çështjes së Kosovës, ka folur rreth zhvillimeve në veri të vendit.

Ai ka thënë se e kupton logjikën e qëndrimit të kryeministrit Albin Kurti.

“E kuptoj logjikën e qëndrimit të Kryeministrit Kurti. Nga këndvështrimi i tij, veriu është pjesë e Kosovës, pavarësisht se kush jeton atje dhe çfarë duan. Nëse kryetarët e komunave japin dorëheqjen, atëherë ata duhet të zëvendësohen dhe kjo u bë pas zgjedhjeve demokratike në veri. Tani kryetaret e rinj duhet të lejohen të lëvizin në zyrat e tyre për të kryer punën e tyre. Çdo gjë më pak do të ishte një shkelje e ligjit dhe kushtetutës.” – tha i për Tëvë 1.

Megjithatë, ai ka një paralajmërim, duke thënë se e rëndësishme s’është kush ka të drejtë, pasi vendos ai që e ka fuqinë.

“Normalisht që qasja e Perëndimit është zhgënjyese për Kurtin, i cili thjesht po e mbron ligjin në këtë rast por ai duhet ta ketë parasysh se humbja e mbështetjes nga SHBA-të do të ishte një katastrofë për Kosovën. Në politikë ka pak rëndësi se kush e ka me të drejtë sepse në fund vendos që ai e ka fuqinë, që në këtë rast është Perëndimi.” – vlerësoi ai.

“Nuk ka dyshim se ky është plani i Perëndimit, diplomatët dhe politikanët kanë thënë vazhdimisht se duan që Kosova t’u japë autonomi serbëve. Në një mënyrë apo tjetër, kjo ka gjasa të ndodhë, megjithëse ka ende shumë të panjohura. Por nëse Kosova vazhdon të sfidojë SHBA-në për çështjen e veriut të Kosovës, atëherë rrezikon izolimin diplomatik dhe tërheqjen e mbështetjes amerikane siç edhe ka kërcënuar tashmë ambasadori amerikan.” – vazhdoi Less.